MENU
klinika

Rusët “thyejnë” mbrojtjen ukrainase

Bazën që po ndërton Moska, ku do të ruhen armët e saj bërthamore

12.05.2024 - 09:00

Moska do të bëjë gjithçka për të shmangur një konfrontim global, por nuk do të lejojë askënd ta kërcënojë atë dhe do të ruajë gatishmërinë operacionale të forcave strategjike të saj bërthamore. Këto janë siguritë që Vladimir Putin i kristalizoi me një fjalim zyrtar para popullit. Megjithatë, fjalët e tij po përkthehen në veprime më shpejt seç pritej. Autoritetet ruse e kanë filluar ndërtimin e objekteve në Bjellorusi që mund të përdoreshin për ruajtjen e kokave bërthamore, duke modernizuar dhe përditësuar ato ekzistuese të cilat aktualisht përdoren kryesisht si depo municionesh. Kështu shkruan “New York Times”, e cila ka monitoruar aktivitetet e ndërtimit që në fillim, në mars 2023, duke marrë disa imazhe satelitore që tregojnë përditësimin dhe zgjerimin e strukturave. Rusia nuk ka vendosur armë bërthamore jashtë territorit të saj kombëtar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991. Vetë Presidenti Vladimir Putin tha vitin e kaluar se autoritetet e Moskës së shpejti do të përfundojnë ndërtimin e një objekti të posaçëm për ruajtjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Baza pranë Ukrainës

Baza në fjalë, shkruan gazeta amerikane, ndodhet afërsisht 190 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën, pranë një depoje ushtarake në qytetin Asipovicy. Bazuar në imazhet e mbledhura, disa nga strukturat e ndërtuara së fundmi në zonë do të kishin karakteristika të gjetura “ekskluzivisht” në objektet e ruajtjes së armëve bërthamore të gjetura në Rusi. Një nga ekspertët e intervistuar nga gazeta, Hans Kristensen, i Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, ekzaminoi materialin e mbledhur, duke deklaruar se ajo që po ndodh në Bjellorusi duket se është krijuar për të ushtruar presion mbi vendet që ndodhen përgjatë krahut lindor të NATO-s, por nuk do t’i jepte Rusisë një avantazh të rëndësishëm ushtarak në rajon. Depoja e Asipovicy strehon gjithashtu raketat Iskander, të cilat Rusia i dërgoi në Bjellorusi në vitin 2022 dhe të cilat mund të pajisen me koka bërthamore.

Stërvitjet me Bjellorusinë

Gjatë javës së kaluar, Rusia dhe Bjellorusia kanë bërë deklarata në lidhje me stërvitjet e armëve bërthamore. Të hënën, Kremlini tha se do të zhvillojë stërvitje ushtarake me trupat me bazë pranë Ukrainës për të trajnuar për përdorimin e mundshëm të armëve taktike bërthamore. Të martën, ministri bjellorus i mbrojtjes i tha medias shtetërore se kishte filluar një inspektim i forcave Iskander dhe sistemeve të tjera të shpërndarjes së armëve bërthamore. Komentet e Rusisë provokuan menjëherë dënimin nga SHBA dhe NATO për “retorikë të papërgjegjshme”. “Ne po ringjallim praktikat e Luftës së Ftohtë, prandaj po ringjallim rreziqet e Luftës së Ftohtë,” tha Jeffrey Lewis , një ekspert i kontrollit të armëve në Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare në Monterey në Kaliforni.

Ofensiva në Kharkiv

Ndërkohë forcat po tentojnë të çajnë kufirin me Ukrainën me grupe sabotazhi dhe po intensifikohet bombardimi i qytetit Vovchansk, në rajonin e Kharkiv. Rusia po krijon një përpjekje të mundshme për të hapur një front të ri në luftë dhe për të intensifikuar kështu presionin mbi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Forcat ukrainase pretendojnë se e kanë zmbrapsur ofensivën. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, në mënyrë specifike, shpjegoi se “një përpjekje e armikut për të depërtuar vijën tonë të mbrojtjes duke përdorur mjete të blinduara” u zhvillua rreth orës 5 të mëngjesit të së premtes, pranë qytetit të Vovchansk , dhe se sulmet fillestare u neutralizuan pa pësuar asnjë pësuar humbje territoriale. Komandantët ukrainas kanë pritur prej kohësh një ofensivë verore, por janë të bindur se Rusia nuk ka burime për të kapur kryeqytetin rajonal Kharkiv. Në çdo rast, Rusia ka aftësinë për të përkeqësuar situatën në zonat kufitare, tha kreu i qendrës ukrainase për luftimin e dezinformatave, Andriy Kovalenko, cituar nga britanikja “BBC”. Raportet ukrainase sugjeruan se Rusia po përpiqej të krijonte një zonë tampon 10 kilometra për rajonin e Belgorodit , pas një sërë sulmesh ndërkufitare të Ukrainës.