Anketimi vjetor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim vëren se besimi i shqiptarëve te institucionet kryesore politike në vend ra edhe më poshtë gjatë vitit të kaluar, ndërsa katër në pesë shqiptarë besojnë se korrupsioni është i gjithëpërhapur.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj duket se zhgënjeu shqiptarët me sjelljen e tij institucionale gjatë vitit të kaluar, pasi një pjesë e qytetarëve patën shprehur besim kur ai mori detyrën në vitin 2022, i zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga votat e Partisë Socialiste.
Një vrojtim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim zbulon se besimi i shqiptarëve te institucioni i presidentit ra nga 41 në 35%, gjë që ka gjasa është rrjedhojë e qëndrimit akomodues të presidentit me maxhorancën që e zgjodhi atë. Besimi i shqiptarëve te Begaj është gjithsesi dukshëm më i lartë nga sa ata kishin te presidenti i mëparshëm Ilir Meta, i cili, në fund të mandatit të tij, pëlqehej nga vetëm 24% e qytetarëve të anketuar.
Rënia e besimit te presidenti duket se është pjesë e një tendence të rënies së besimit më gjerësisht në shumicën e institucioneve politike në vend. Partitë politike mbajtën pozicioninin e institucioneve në të cilat shqiptarët kanë më pak besim, krahas prokurorisë, gjykatave, parlamentit dhe presidentit. Besimi te qeveria qendrore mbeti e pandryshuar gjatë vitit të kaluar, ndërsa besimi te pushteti vendor pësoi rritje, vërehet nga të dhënat e anketës.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gëzoi besimin e 60% të shqiptarëve gjatë vitit 2023, me një rritje të konsiderueshme nga 50% që ishte në vitin 2022. Krijuar në fund të vitit 2019, SPAK pati një nisje të ngadaltë para se të shënonte disa goditje të forta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit pas gjysmës së dytë të vitit të kaluar.
Në total, 81% e shqiptarëve ose më shumë se katër në çdo pesë qytetarë të pyetur, mendojnë se korrupsioni është “i përhapur” ose “shumë i përhapur” ndërsa perceptimi i korrupsionit është përkeqësuar më tej gjatë vitit të kaluar.