Përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare mbetet ende një fenomen mbizotërues. Pavarësisht se mbart kosto të larta për ekonominë, qytetarët preferojnë të paguajnë përmes parave nga portofolët e tyre.
Referuar raportit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 shtimi i infrastrukturës për përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave është reflektuar në rënien e përdorimit të cash-it për transferta.
Në vitin 2023, transaksionet me para fizike të kryera nga klientët në sportelet e bankave janë zvogëluar me 2.1% në numër dhe 0.2% në vlerë, krahasuar me vitin 2022.
Raporti i parasë jashtë bankave ndaj parasë likuide është 51%, nga 52.7% një vit më parë. Sa i takon vitit aktual kjo sasi parash në fund të muajit mars arriti në 774.6 mld lekë, ndonëse me një rënie prej 0.5% krahasuar me muajin paraardhës.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e edukimit financiar për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase dhe me kosto të ulëta përbën një nga prioritetet e këtij institucioni.