MENU
klinika

"Nuk është fenomen masiv"

Buburrecat ‘pushtojnë’ Potamin në Himarë, Kumbaro: S’kanë zbritur luanët nga mali

21.05.2024 - 21:19

Prej dy javësh Potam të Himarës, insektet janë kthyer në një shqetësim të madh jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për pushuesit të cilët janë ‘alarmuar’. Report Tv ka trajtuar këtë situatë problematike, me insektet që gjenden në plazh, në bar-kafe e restorante dhe ballkonet e apartamenteve.

Ministrja Mirela Kumbaro e ftuar në Report Tv thotë se ka qenë në Himarë para dy ditësh dhe nuk është ndeshur me një situatë të tillë, ndonëse në fakt pamjet e Report Tv tregojnë krejt të kundërtën.

Ministrja e cilësoi diçka normale bashkëjetesën me insektet, duke thënë se nuk kanë zbritur luanët nga mali, por në fakt kjo situatë e tillë shqetëson edhe pushuesit që frekuentojnë Himarën në nisje të sezonit turistik.

“Procesi po kryhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka nisur nga veriu në jug. Isha në Himarë para dy ditësh dhe kalova ditën në territorin e bashkisë Himarë dhe ndalova në një pjesë të mirë të bizneseve dhe pata takim me përfaqësues e të gjithë bizneseve. Ata ngritën probleme, por nuk ma ngriti asnjë këtë problem. Mund të këtë diku një episod, nuk e njoh, nuk e kam këtë informacion.

Janë biznese që janë në nivelin e tokës, janë me oborre dhe bashkëjetojnë me gjallesa që ka natyra. Insektet janë pjesë e një ekosistemi dhe merret një masë ndërhyhet, nuk kanë zbritur luanët nga mali, janë shtëpi të hapura. Bashkia do ta ketë marr masën përkatëse, nuk është fenomen masiv, diku ka karkaleca, diku mushkonja”, tha Kumbaro.

Kumbaro tha se Bashkia Himarë me gjasë ka marrë masa për këtë situatë, por në fakt deri tani institucionet nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje. Nënkryetari i Bashkisë së Himarës, Pervin Gjikuria tha për Report TV se subjektet private duhet të kryejnë vetë dezinsektimin e ambienteve si hotele, bare e restorante, ndërsa ndërtesat publike, si kopshtet e shkollat do të dezinfektohen nga bashkia në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.

Pra, nuk ka një zgjidhje për qytetarët e shumtë që janë të detyruar të bashkëjetojnë me insektet në banesat e tyre. Po kaq këto insekte gjenden dhe në rrugë apo plazhe!