MENU
klinika

“Të votohet në qershor në KiE”

Bundestagu i kërkon qeverisë të mbështesë më shumë Kosovën

16.05.2024 - 21:27

Çështja e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës u fut në Bundestagun gjerman. Deputetët diskutuan për mbrojtjen e vlerave të organizatës së parë të madhe evropiane të pasluftës së dytë botërore, ndërsa përmendën faktin që Prishtina e ka merituar plotësisht anëtarësimin.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e konfirmoi vetë një gjë të tillë, por kërkoi sërish hapin e parë për asociacionin nga qeveria e Kosovës.

“Kosova, për shembull, demokracia më e re në Evropë, e ka vendin në Këshillin e Evropës. Kjo është arsyeja pse ne apelojmë dhe jam shumë mirënjohëse për këtë punë intensive të parlamentarëve demokratë dhe grupeve politike, që të bashkohemi këtu. I bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve dhe përgjegjësve në Kosovë që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që ne të arrijmë sa më shpejt shumicën e nevojshme për anëtarësim.”

Më i drejtpërdrejtë ishte deputeti i Unionit Kristiandemokrat, CDU, Knut Abraham, që tha se në këto orë bëhet fjalë për të vendosur për një çështje shumë të rëndësishme për të gjithë Evropën.

Ligjvënësi opozitar, përsëriti mbështetjen e madhe që mori Kosova në votimin e fundit dhe akuzoi kancelarinë gjermane se nuk po e kupton se bëhet fjalë për një mundësi vërtetë historike.

“Zonja ministre, ky është një moment historik. Dhe ne i dimë të gjitha fjalimet që bëhen këtu, në këtë tavolinë, ku thonë se duhet të stabilizojmë Ballkanin Perëndimor, duhet t’i evropianizojmë. Këtë duhet që ta bëjmë tani. Kjo është detyra e Komitetit të Ministrave. Zonja dhe zotërinj, tani i takon qeverive të vendosin. Ka një zhvillim të ri të shkëlqyer. Në një letër drejtuar Këshillit të Evropës, qeveria e Kosovës premtoi se do të dorëzojë një statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në gjykatën e saj kushtetuese deri në fund të majit. Prandaj, zonja Ministre, mendoj se do të ishte një ide e mirë nëse Komiteti i Ministrave do ta trajtonte këtë çështje në një takim të posaçëm të Komitetit të Ministrave, ndoshta në qershor.”

Deputeti i CDU vlerësoi përpjekjet e qeverisë së Kosovës, duke thënë se ka bërë një hap shumë të rëndësishëm këtu në përmbushjen e detyrimeve.

Në të njëjtën linjë edhe deputeti i Socialdemokratëve në pushtet, Frank Schwabe, që i bëri thirrje qeverisë të vlerësojë pozitivisht letrën e garancisë së Kosovës për asociacionin dhe ta bëjë ç’është e mundur për pranimin në Këshillin e Evropës.

“Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’u anëtarësuar. Kështu bëri sëfundmi, përmes një letre dërguar mëngjesin e sotëm për çështjen e pakicave serbe dhe asociacionit. Por unë mendoj se ne duhet t’ju japim një ndihmë, zonja Ministre e Jashtme, pasi mbi 80 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votoi për anëtarësimin e Kosovës. Meqë e shoh kreun e grupit tim, mund të them se grupi socialdemokrat e dëshiron këtë aderim dhe qëndron prapa anëtarësimit, dhe mendoj se është edhe koalicioni dhe shumica e kësaj dhome e duan këtë. Prandaj Kosova duhet të bëhet shteti i 47-të anëtar i Këshillit të Evropës.”

Nuk është ende e qartë nëse votimi për Kosovën do të bëhet në këtë sesion të ministrave të Këshillit të Evropës, por ambasadori gjerman në Prishtinë konfirmoi për A2 CNN disa ditë më parë se kjo mund të futet në agjendë edhe në minutën e fundit. Por ai kërkoi pak guxim nga qeveria Kurti, me dorëzimin e një draft-statuti për asociacionin në gjykatën kushtetuese.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk ka pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës pa..."

Letra drejtuar KiE/ Gjermania, Franca dhe Italia i përgjigjen Albin Kurtit