Ukraina i ka fokusuar përpjekjet e saj diplomatike në bindjen e aleatëvr të saj që të lejojnë ushtrinë e saj të përdorë armatimin e NATO-s kundër objektivave në tokën ruse. Kievi ka arritur në të kaluarën të lëvizë linjat e kuqe të vendosura ndaj tij nga partnerët e tij në Perëndim, pas muajsh negociatash. Ofensiva e re ruse në Kharkiv , qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, ka përshpejtuar përpjekjet diplomatike të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të zbutur frikën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për një përshkallëzim të mundshëm nëse armët e ofruara prej tyre synojnë territorin sovran rus. Dhe tani NATO, me në krye Jen Stoltenberg, kanë vendosur të hapin të gjitha kartat dhe të mos i druhen më Rusisë.
“Bomba” e Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje anëtarëve të aleancës që të lejojnë Kievin të përdorë armët që merr për të synuar objektivat ushtarakë brenda territorit të Rusisë. Stoltenberg e tha këtë në një intervistë me Economist, pasi është diskutuar për një kohë të gjatë dhe Britania e Madhe “i dha leje” Kievit një muaj më parë për të përdorur armët e tij për të sulmuar objektivat ushtarakë në Krime dhe Rusi, veçanërisht raketa me rreze të gjatë, “Storm Shadow. Stoltenberg”, në fakt, po reagonte ndaj një apeli të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i lejuar ata të përdorin armë perëndimore për të goditur objektivat ushtarake në territorin rus. Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë reagoi negativisht, por NYT raportoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas vizitës së tij të fundit në Kiev, “sugjeroi që SHBA të lejonte ushtarët ukrainas të përdorin armët amerikane për të sulmuar objektivat ushtarakë në Rusi”.
NATO në gatishmëri
Çështjet do të zgjidhen në samitin e NATO-s nga 9 deri më 11 korrik në Uashington. Sipas parashikimeve të inteligjencës, rusët mund të kthejnë ukrainasit në gusht, të paktën në Donbass. Nuk është rastësi që kryeministri hungarez, Viktor Orbán, po distancohet nga aleatët, nga frika e ndërhyrjes në një pjesë të Evropës. Megjithatë, ka shumë vende të gatshme për tu përfshirë. Në rreshtin e parë janë shtetet baltike. Ingrida Simonyte, kryeministrja e Lituanisë ka konfirmuar se është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë për stërvitje. Propozimin e ka mbështetur edhe kryeministrja e Letonisë, Evika Silina. “Ka rrugë të mesme midis të mos bësh asgjë dhe të luftosh,” shtoi komandanti i ushtrisë estoneze, gjenerali Martin Herem. Më të kujdesshëm, por me peshë shumë më të madhe, janë polakët dhe finlandezët. Në prapaskenë, britanikët tashmë ndjejnë se janë në një “situatë të paraluftës”, siç konfirmoi shefi i shtabit, Patrick Sanders. Sakaq, Italia ka dalë haptazi kundër, duke shprehur frikën e nisjes së Luftës së Tretë Botërore. Edhe Gjermania ka hezituar t’i bashkohet aleatëve.
Kërcënimet ruse
Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka qëndruar i qetë. Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitri Medvedev ka kërcënuar edhe një herë Perëndimin. Në mediat sociale, ai iu përgjigj fjalëve të ministrit të Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, i cili në një intervistë me “The Guardian” deklaroi se Shtetet e Bashkuara thanë se ishin të gatshme të “asgjësonin” kontigjentin e ushtarëve të Kremlinit në Ukrainë nëse Moska përdor armë bërthamore në Ukrainë. “Para së gjithash, Yankees nuk kanë thënë ende asgjë të tillë, sepse ata janë më të kujdesshëm se polakët. Së dyti, një sulm amerikan ndaj objektivave tona do të nënkuptonte fillimin e një lufte botërore dhe çdo ministër i Jashtëm, qoftë edhe i një vendi si Polonia, duhet ta kuptojë këtë ”, shkroi Medvedev në platformën X. Deklarata të forta, këto, por në përputhje me ato të bëra disa herë nga ish-presidenti i Federatës gjatë dy viteve të fundit. Në fakt, Medvedev ka deklaruar vazhdimisht se Rusia është e gatshme të përdorë armë atomike. Gjithashtu, ai ka argumentuar se “ekzistenca e Ukrainës është fatale për vetë ukrainasit” dhe se “prania e një shteti të pavarur në territoret historike ruse do të jetë arsyeja e rifillimit të armiqësive”.