Drejtoresha e Drejtorisë konsullore në ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Orieta Çobani, thotë se po punojnë për 26 marrëveshje për të bërë të mundur heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Në një intervistë për “Special Report” në ABC News, ajo theksoi:
“Ne kemi prioritet kryesor forcimin e pasaportës shqiptare që t’i hapen dyert në çdo vend pa pasur nevojën e një vize. Po punojmë për 26 marrëveshje dypalëshe reciproke të lëvizjes pa viza. Kemi vullnet maksimal për ta përfunduar në kohë këtë procedurë, por siç dihet, çdo vend ka procedurat e veta të brendshme që mund të kërkojë edhe më shumë kohë. Ne po ecim shumë shpejt në të gjitha drejtimet, qoftë edhe në dixhitalizimet e proceseve. Vendet i marrin proceset në një kohë të caktuar dhe kjo na sjell edhe vonesa.”, tha Çobani.
Ajo shtoi se procesi për aplikimin për t’u pajisur me pasaporta të shtetasve që jetojnë jashtë është thjeshtëzuar. Aktualisht ky shërbim ofrohet në 15 përfaqësi dhe po punohet për ta bërë të mundur edhe në vendet më të largëta si Kanadaja.
“E-Albania është e aksesueshme në të gjitha vendet e botës. Momentalisht në 15 përfaqësi e ofrojmë këtë shërbim, të pajisjes me dokumente biometrike. Çdo ditë punojmë për ta zgjeruar. Fillimisht është menduar në ato vende që kanë më shumë përqendrim dhe në vende të largëta si Kanadaja. Aplikimi bëhet online. Iu kemi thjeshtuar shtetasve duke pasur parasysh kushtet në të cilat ata ndodhen. Ata aplikojnë dhe lënë vetë datën dhe orën e takimit, e më pas vijohet sipas ligjit me prodhimin e dokumentit, nga struktura të tjera respektive shtetëtore.“, shtoi më tej ajo.