MENU
klinika

Qeveria e re

DASH godet Vuçiç: Jemi të zhgënjyer

01.05.2024 - 11:44

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur i zhgënjyer me emrat e propozuar për qeverinë e re të Serbisë, të cilët janë përfshirë të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviç.

Kryeministri i mandatuar për qeverinë e re, Millosh Vuçeviç, ka njoftuar të martën se Vulini do të shërbejë si një prej disa zëvendëskryeministrave në kabinetin e tij, që pritet të votohet gjatë ditëve në vijim në Parlament. Vulin njihet për lidhjet e afërta me Rusinë. Popoviqi pritet të jetë ministër pa portofol.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për Vulinin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e DASH-it për “Zërin e Amerikës”.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Përfshirja e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re sugjeron forcimin e lidhjeve me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur zyrtarisht pro-Bashkimit Evropian nga Serbia.

Në korrik, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.

Aleksandar Vulin dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë serbe së Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Ai kishte shërbyer më parë edhe në detyrën e shefit të ushtrisë dhe policisë.

Së fundmi ai ka marrë dy medalje nderi nga Rusia, njërën prej Shërbimit Federal të Sigurisë ruse dhe tjetrën nga Presidenti rus Vladimir Putin.