Hungaria nuk do të marrë pjesë në planin afatgjatë të NATO-s për të ndihmuar Ukrainën, tha ditën e djeshme ministri i jashtëm i Hungarisë, duke e quajtur planin një “mision të çmendur”.
Aleatët e NATO-s ranë dakord në prill për të filluar planet për mbështetje ushtarake afatgjatë për Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus përmes krijimit të një fondi me vlerë 100 miliardë euro.
Sipas planeve, NATO do të merrte përsipër një pjesë të koordinimit nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA i quajtur Grupi Ramstein.
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto përsëriti se qeveria hungareze e kundërshton planin. “Hungaria nuk do t’i bashkohet misionit të çmendur të NATO-s me gjithë presionin,” tha ai në një ngjarje Facebook Live në Londër.
Zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs, duke reaguar muajin e kaluar ndaj nismës së NATO-s, njoftoi në platformën X, dikur Twitter, se Hungaria nuk do të mbështesë asnjë propozim të NATO-s që mund ta “sjell Aleancën më afër luftës ose ta kthejë atë nga një koalicion mbrojtës në një koalicion sulmues”.
Marrëdhëniet midis Budapestit dhe NATO-s janë të tensionuara edhe për shkak se Hungaria vonoi ratifikimin e hyrjes së Suedisë në Aleancën e mbrojtjes, gjë që më në fund e bëri në mars, dhe për shkak të marrëdhënieve të ngushta të kryeministrit hungarez Viktor Orban me Moskën pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Hungari David Pressman tha më herët se aleatët e NATO-s po paralajmërojnë Hungarinë për rreziqet e marrëdhënieve “të ngushta dhe të zgjeruara” me Rusinë dhe se, nëse kjo është zgjedhja politike e Budapestit, “do të duhet të vendosë se si të mbrojë më mirë interesat e sigurisë.”