Policia greke ka dyshime se vrasësit me pagesë prej kohësh ndiqnin familje e 32-vjeçarit në mënyrë periodike.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin mafioz të 32-vjeçarit, Roan Brahimi në Greqi mbrëmjen e kaluar. Sipas asaj që raportohet nga mediat greke, Brahimi pas krimeve që ka kryer në Shqipëri, ishte strehuar për disa kohë në Greqi, ndërkohë që deri para pak kohësh jetonte në Dubai.
Por këto nuk ishin vendet e vetme ku 32-vjeçari ka tentuar të fshihet në mënyrë që t’i shpëtojë hakmarrjes nga grupet rivale.
Sipas hetimeve të bëra nga autoritetet greke, rezulton se Brahimi të ketë lëvizur edhe nga Spanja, Italia dhe Franca. Sipas dyshimeve, lëvizjet e tij mund të kenë më shumë të bëjnë me përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Sa i përket ekzekutimit, informacionit për vendndodhjen e tij dhe mënyrës se si u ngrit atentati, policia greke ka dyshime se vrasësit me pagesë prej kohësh ndiqnin familje e 32-vjeçarit në mënyrë periodike.
fëmija 7-vjeçar dhe partnerja e tij dyshohet se ishin prej shumë kohësh në monitorim të vazhdueshëm dhe se autorët po prisnin momentin kur ai do të vinte për t’i takuar ata në mënyrë që ta ekzekutonin.
Mediat greke gjithashtu raportojnë se organizimi i këtij atentati është nisur pothuajse një vit më parë. Ishte analisti grek Stavros Balaskas i cili zbuloi se mafia shqiptare kishte të paktën një vit në kërkim të viktimës.
“Po e shikonin gruan e tij… po flasim për një kontratë shumë të kushtueshme sepse flasim për dy të shtëna, njëra në kokë, tjetra në trup, flasim për goditje të çastit dhe oficerët e EL.AS. ndoshta kanë ardhur nga Shqipëria, e kanë ekzekutuar dhe pas një kohe të shkurtër janë kthyer prapa”, tha Balaskas.
Roan Brahimi njihej edhe me emrin Sidorel Prendi. Emri i tij lidhet ndër të tjera me vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririn e Ervis Martinajt
Kërkimet për autorët vijojnë, por për momentin ata mbeten ende të paidentifikuar. Ndërkohë që banorët e zonës raportohet se janë të tmerruar nga ngjarja tronditëse e cila ndodhi vetëm pak metra larg zonës ku ata banojnë dhe ku fëmijët e tyre po luanin jashtë.
Kujtojmë se sulmi ndodhi pak pas orës 21:30 të së enjtes mbrëma në kryqëzimin e rrugëve Messolonghiou dhe Tsaldari, kur viktima ishte në një makinë me një grua. Papritur një motoçikletë ka kaluar makinën dhe një person ka nxjerrë një armë dhe ka nisur të qëllojë. Burri vdiq nga të shtënat, ndërsa gruas i ra të fikët dhe është ende në gjendje shoku.