MENU
klinika

"Mblodha drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe…"

Dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi/ Ministri Balla: Ngjarje të tilla, vështirë të parandalohen nëse nuk sinjalizohen!

30.05.2024 - 21:21

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se ngjarja ku u dhunua avokati Sokol Mëngjesi është e rëndë. Edhe pse sipas tij, u zbulua brenda disa orëve, duke vënë në pranga autorin e sulmit dhe organizatorin, ngjarje të tilla është vështirë të parandalohen nëse nuk sinjalizohen.

Po ashtu, ministri Balla tha se menjëherë pas kësaj ngjarje, ai ka mbledhur të gjithë drejtuesit e policisë së shtetit për shkak të rëndësisë së figurës së avokatit. Ministri tha se ajo që ndodhi dje ishte një test për Policinë e Tiranës.

“Unë i bashkohem shqetësimit lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe shpresoj që zoti Mëngjesi ta kalojë këtë situatë të vështirë. Kam komunikuar me doktorët që janë nën kujdes. Deri të hënën është në rrezik për jetën, nëse kalon e hëna do e kalojë.

Bëhet fjalë për një konflikt të vjetër. Një kolegu të zotit Mëngjesi i kam thënë si ka mundësi që nuk sinjalizuat policinë e shtetit?! Kjo është një ngjarje e rëndë, por brenda disa orëve, policia e shtetit ka arrestuar edhe autorin kryesor edhe porositësin.

Një ngjarje e tillë është e vështirë ta parandalosh nëse nuk ke sinjalizime paraprake. Qytetarët konflikte të tilla duhet ti sinjalizojnë në kohë.

Ajo që për ne ka rëndësi është që personi që ka goditur dhe organizatori janë të ndaluar.

Unë mund t’ju them kaq, kam pasur një komunikim me drejtuesit e policisë së shtetit për shkak të rëndësisë se figurës së personit që u dhunua. E djeshmja ka qenë një test për policinë e Tiranës. Janë angazhuar të gjitha strukturat”, tha ministri në emisionin Opinion.