Në vitin shkollor 2022-2023, arsimi në Shqipëri shënoi një numër më të ulët diplomimesh krahasimisht me vitin akademik të mëparshëm.“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e INSTAT për të kuptuar sesi ka ndryshuar trendi i diplomimeve në Shqipëri brenda një viti.
Por si paraqitet numri i të diplomuarve në arsimin e lartë sipas nivelit të studimit?
Në arsimin e lartë në programet Bachelor u diplomuan 27,991 studentë që përfaqësonin 49,3 % të totalit. Ndërsa në nivelin master u diplomuan gjithsej 12,483 studentë nga të cilët 65.2% e të diplomuarve ishin vajza
Përsa i përket fushës së studimit në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet rezulton se dega “Biznes, administrim dhe ligj” zë 25,4 % ose një të katërtën e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt.
Lidhur me preferencat e përzgjedhjes së fushës së studimit të ndara sipas gjinisë konstatojmë se dega “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” ishte preferenciale për djemtë dhe “Shëndet dhe mirëqenie” për vajzat.
Nëse analizojmë të dhënat për secilën fushë veçmas konkludojmë se fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” me 82,6 %, ndjekur nga “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” si dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” .Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”si dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit”.
Numri i diplomimeve gjithsej këtë vit u ul me 9.4%. Por cilat degë po joshin më shumë studentë? Krahasimisht me një vit më parë vetëm tre degë regjistrojnë rritje të numrit të diplomimeve. Konkretisht, rritja më e lartë paraqitet në degën “Shëndet dhe Mirëqenie” me 8.3% më pas ndjekin “Shërbimet” me 6.6% dhe “Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit” me 4.5% .
Në të kundërt rënia është thelluar në degët si “Arte dhe shkenca humane” me 25 % dhe “ Shkenca arsimi” me 22.8% ku në arsim pati një rënie të konsiderueshme me 21% në degën “ Shkenca natyrore, matematikë dhe Statistikë”. Në degët e tjera rënia varion nga 0.4% në 15.6%.