MENU
klinika

Shkak mungesa e ish-prokurorit Xhevahir Lita

Dosja ‘Metamorfoza’, shtyhet seanca e parë në GJKKO

13.05.2024 - 12:49

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka shtyrë seancën paraprake, lidhur me dosjen “Metamorfoza”.

Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e Xhevahir Litës, njëri prej të pandehurve, për shkaqe shëndetësore dhe të avokatit të tij Arben Nela.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgoi për gjykim dosjen në GJKKO për disa të pandehur, ndërkohë që ndau çështjen për disa të tjerë.

SPAK do të përfaqësohej në seancën e sotme nga dy prokurorët e saj, Altin Dumani dhe Arben Kraja, të cilët ishin të pranishëm. Dosja ‘Metamorfoza’ 1 u mbyll vetëm pak ditë më parë, ku SPAK dërgoi për gjykim në GJKKO 7 persona, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka, Behar Bajrin, ish-prokurorin Xhevahir Lita, apo ish-shefin e operacionales Oltion Bistri.

Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Në këtë listë bën pjesë dhe ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili prej afro dy vitesh rezulton i humbur pa gjurmë.