MENU
klinika

"S’ka pse të na bëjë përshtypje kur..."

“E kërkova prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un”, Veliaj: Ja pse iu referova prokurorëve si kolegë

06.05.2024 - 19:33

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një interviste për “Breaking” në Top News komentoi edhe dëshminë e tij në SPAK.

Ai u shpreh se e kishte kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un, ndërsa sqaroi se përse iu referua prokurorëve si kolegë.

Sipas kreut të bashkisë, njerëzit që i sheh të angazhuar në një mision të përbashkët, ai i konsideron kolegë.

“Deri tani ka qenë tabu që autoritetet të bashkëpunonin dhe janë parë si armiqësore. Është normale  që autoritet të kenë nevojë të sqarohen. E kam kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un. S’ka pse të na bëjë përshtypje kur një palë s’ka asnjë kompleks dhe ka shprehur gatishmëri. Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është jo një njeri që respekton ligjin, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë organet e drejtësisë.

Unë ju quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëzit që janë angazhuar në një vokacion publik, sepse kemi një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë. Një njeri duhet të jetë konsistent, s’mund të them një herë “rroftë SPAK-u” dhe më pas ta degjeneroj këtë institucion. Normalja e re duhet të jetë e njerëzve që bashkëpunojnë”.

“Bashkia është klient, si çdo klient tjetër, si përshembull, Bashkia e Vorës, Rrogozhinës dhe gjithë qarkut. Pra jemi një nga klientët, jemi përdoruesit më të mëdhenj por jo pronar. Licencimi bëhet nga  një tjetër institucion. Kontrata është bërë nga ministria e Mjedisit në atë kohë. Ligji i ka shumë të qarta dhe kjo s’ha debat fare”, tha Veliaj.

I pyetur pse nuk ka folur më herë për të adresuar akuzat nga opozita dhe për të hedhur dritë, Veliaj tha: Sa herë që më është kërkuar  kam folur, por kini parasysh që opozita s’ka punë. Çfarë pune ka për të bërë Saliu gjithë ditën në shtëpi; Meta gjithë ditën në paralele? T’u kthej përgjigje njerëzve që skanë punë, shpif shpif se diçka do mbetet. Kjo është e gjitha politike, s’ka debat vlerash. Kjo është “ikni ju që të vijmë ne dhe ta kthejmë Shqipërinë flakë e zjarr siç e kemi pas.