MENU
klinika

Korrigjimi në skemën e kontributeve

Eksperti: Mosha e daljes në pension nuk ndryshon apriori

07.05.2024 - 14:19

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me asistencën e Bankës Botërore është duke analizuar aspektet, që duhet të korrigjohen në skemën e kontributeve.

Por cilat janë fushat ku parashikohet të bëhen këto ndryshime? Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, thekson se ekspertët e huaj të thirrur nga qeveria tregojnë se kriteret për vitet e pagesës së kontributeve në Shqipëri krahasuar me vendet e zhvilluara janë 5-6 vite më shumë për pensionin e plotë, si dhe 2-3 vite më shumë për pensionin e pjesshëm. Gjokutaj bën me dije se reforma e vitit 2014 nuk ka parashikuar siç duhet tendencat e kohëzgjatjes së kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë për të ardhmen.

Prej disa muajsh qeveria me asistencën e Bankës Botërore është duke parë aspektet, të cilat duhet të korrigjohen në skemën e pensioneve. Cilat janë drejtimet ku parashikohet të bëhet ndërhyrja në skemën e pensioneve?

Për qeverinë, objektivi kryesor është të ndërtohet një skemë pensionesh e përshtatur për projeksione financiare afatgjata për sa i përket mbulimit, përshtatshmërisë, drejtësisë midis grupeve dhe qëndrueshmërisë së saj në kohë. Ndryshimet më kryesore që janë deklaruar në daljet e ministrit të Financave dhe në intervista e deklarata të menaxherit të Bankës Botërore për Shqipërinë pritet të marrin në konsideratë menaxhimin e skemës së pensioneve lidhur me drejtime të tilla si: forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare (në 2023 indeksimi arriti 8/6%); të indeksojë elemente të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension, përfshirë rritjen e pensionit social; skema e pensioneve rurale; ulja e masës së kontributeve dhe progresiviteti i tyre sipas bazave tatimore që paguhen më shumë. Një nga konsiderimet e skemës së ardhshme të pensioneve po përmendet se do të jetë ndryshimi i qasjes së politikës për fuqizimin e skemave private, me stimuj fiskale për profesionistët dhe të vetëpunësuarit.

Si paraqitet masa e pensioneve për të moshuarit në vendin tonë? Nëse mundeni, mund të na bëni një krahasim me rajonin?

Pensioni mesatar në Shqipëri është në nivelet më të ulëta të rajonit dhe aktualisht ende nuk ka një rritje që të konsiderohet e vlefshme për nivelin e minimumit jetik. Në këtë nivel të ulët pensionesh ndikojnë pensionet e fshatit, që janë tepër të ulëta dhe niveli i pensioneve të shumicës së përfituesve që janë produkt i pagave të ulëta të deklaruara dhe bazës së ngushtë (informaliteti dhe emigracioni), apo edhe mungesës së përfitimeve nga kolona suplementare që mund të rritin nivelin e pensioneve në tërësi. Në vitin 2023 pensioni mesatar në Shqipëri ishte 150 euro, apo sa 26% e pagës mesatare mujore bruto prej 75.5 mijë lekë/muaj, me një ulje mesatare 5-6% më pak krahasuar me vitet para pandemisë dhe inflacionit. Rritja e pagës tashmë e ka bërë detyrim rritjen e pensioneve. Rritja e pagave me pensionin janë në raportin 1 me 3, pra paga mesatare është rritur deri 3 herë më shumë se pensioni mesatar. Në Kosovë, pensioni mesatar është 190 euro, ku pensioni bazik (i ngjashëm me pensionin social në Shqipëri) është 100 euro/muaj. Ndërkohë, paga mesatare mujore është 610 euro. Pensioni mesatar mujor në Maqedoninë e Veriut 315 euro, ndërsa paga mesatare mujore në 2023 ishte 890 euro. Në Serbi, pensioni mesatar është 335 euro dhe është sa 1/3 e pagës mesatare mujore që është në nivelin 1.010 euro. Në Malin e Zi, pensioni mesatar ishte 450 euro, ndërsa paga mesatare mujore është 980 Euro. Në Bosnjë-Hercegovinë niveli i pensionit mesatar është 340 euro dhe është në raportin 1 me 3 me pagën mesatare mujore prej 995 euro.

A është e mjaftueshme kjo masë pensioni për të përballuar jetesën?

Kushdo që ka lidhje me skemën e pensioneve jep arsyetimin e përmbledhur se pensioni nuk përmbush dot një jetesë të denjë dhe normale. Arsyet janë të lidhura me llogaritjet për pensionet dhe ballafaqimi me koston e jetesës normale. E ardhura mesatare mujore e pensionisti në qytet në 2023 bashkë me kompensimet e ndryshme arrin në 18.485 lekë. Nëse i shtojmë edhe bonusin e fundvitit prej 5.000 lekë, atëherë e ardhura mesatare mujore pensionale arrin në 18.901 lekë. Nëse llogaritim pensionet e një çifti pensionistësh qyteti, atëherë kjo e ardhur mujore mesatare është gjithsej 37.802 lekë. Kjo është sa 83% e shpenzimeve mesatare për konsum për një familje në qytet me dy persona, ku diferenca prej 17% e konsumit mujor është kosto e pambuluar nga pensionet. Për pensionistin në fshat e ardhura mesatare bashkë me kompensimet e ndryshme arrin në 10.196 lekë muaj. Nëse i shtojmë edhe bonusin e fundvitit prej 5.000 leke, atëherë e ardhura mesatare mujore pensionale arrin në 10.612 lekë. Nëse e llogaritim për një çift pensionistësh fshati, atëherë kjo e ardhur mujore mesatare është gjithsej 20.392 lekë. Kjo është sa 45% e shpenzimeve mesatare për konsum për një familje rurale me dy persona, ku diferenca prej 55% e konsumit mujor është kosto e pambuluar nga pensionet. Të ardhurat nga pensionet e shumë njerëzve janë shumë më të ulëta se ky nivel mesatar dhe të ardhurat nga pensionet ka të ngjarë të jenë me probleme lidhur me qëndrueshmërinë e skemës aktuale, nëse nuk ndihmohet dhe përmirësohet nga burime alternative dhe masa adekuate më të plota në të ardhmen.

A ka ndonjë mundësi për të rritur pensionet? Si mund të realizohet kjo?

Sistemet e pensioneve evoluojnë mes ndryshimit të ekonomisë dhe tregut të punës. Ruajtja e përshtatshmërisë dhe mjaftueshmërisë së tyre mund të kërkojë rishqyrtimin e burimeve të financimit dhe ky është thelbi për të diskutuar rritjen e tyre. Të gjitha masat që mund të përbëjnë një proces rinovimi (rritje) vlerësohen se duhet të adresohen: në drejtim të një kontrate të re sociale ku rritja e pagave është një nga pikat kryesore të saj, luftimi i informalitetit dhe evazionit për rritjen e bazës së kontribuuesve dhe skemat e rinovuara dhe koordinuara me fondet e pensioneve private, që garantojnë mbulimin e sigurt të qëndrueshmërisë në kushtet e mosrealizimit të dy adresimeve të tjera. Masat që ulin papunësinë afatgjatë tek të rinjtë dhe sigurojnë integrim të hershëm në tregun e punës në kushte normale kontraktuale, duke përfshirë mbulimin e mbrojtjes sociale duhet të kontribuojnë gjithashtu në uljen e rreziqeve për mjaftueshmërinë e pensioneve. Së fundmi, në vendet ku reformat janë në faza zhvillimi, shihet se skema e pensioneve private, krahas publikes po ndihmojnë në optimizimin e ofertës së punës gjatë jetës së punës, veçanërisht për punëtorët e moshuar, duke vendosur stimuj të fortë pune në rregullat e tyre të së drejtës dhe duke kufizuar aksesin në pensionin e parakohshëm.

A do të ndryshojë mosha e daljes në pension dhe portofoli i sigurimeve?

Shtyrja e daljes në pension dhe marrja e pensionit duke punuar më gjatë dhe në këtë mënyrë, duke kontribuar e duke krijuar të drejta për një kohë më të gjatë ka kontribuar ndjeshëm në përmirësime të njëkohshme në qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë e pensioneve. Megjithatë, fokusi nuk duhet të jetë vetëm në fazën e fundit të jetës së punës së njerëzve. Kriteri i viteve të punës për pension minimal dhe pension maksimal deri më sot janë respektivisht: 15 vite pune për sigurime për të përfituar pension minimal dhe deri 38 vite punë me sigurime të paguara për pension të plotë. Ekspertet e huaj të thirrur nga qeveria, na tregojnë se kriteret për vitet e pagesës së kontributeve në Shqipëri krahasuar me vendet e zhvilluara janë 5-6 vite më shumë për pensionin e plotë, si dhe 2-3 vite më shumë për pensionin e pjesshëm. Reforma e vitit 2014 nuk ka parashikuar si duhet tendencat e kohëzgjatjes së kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë për të ardhmen, pasi thelbi i reformës lidhur me kohëzgjatjen ka qenë shtyrja në kohë duke e zgjatur periudhën kontributive deri në 40 vite për ata që mbushin moshën e pensionit në vitin 2032. Pra, punonjësit e sotëm apo pensionistët e nesërm do të duhet të punojnë shumë e më shumë dhe masa e pensionit mund të vijë edhe në pakësim, nëse masat nuk do të jenë gjithëpërfshirëse. Informaliteti dhe pakësimi i punonjësve kontribuues ta ulë vlerën e pensionit të ardhshëm afër niveleve minimale. Por, kujdes! Mosha e daljes në pension nuk mund të ndryshojë apriori, pasi ky element është pjesë e formulës së skemës ekzistuese dhe ndërhyrja në të krijon probleme për gjithë skemën në tërësi.

Cilat duhet të jenë politikat që duhen ndjekur për të gjithë ata që marrin pensione të ulëta? A është i nevojshëm një reformim gjithëëpërfshirës?

Sapo u shfaqën shenjat e para të rimëkëmbjes pas vitit 2020 dhe deficiti publik u ul, qeveria në reagim ndaj presionit të shtuar social është sensibilizuar ndjeshëm edhe për pensionet e ulëta. Nga fundviti 2023 dhe kryesisht në 2024, si viti fundit përpara zgjedhjeve parlamentare është rritur debati publik ende me dyer të mbyllura me synimin për të përshpejtuar përfundimin e paketave stimuluese dhe nxitëse për të motivuar rimëkëmbjen e skemës së pensioneve në vend. Një arsye kryesore është përshtatja e vlerës së pensioneve pas vitit 2024 në përballjen me koston e shtuar të jetesës. Një arsye e dytë është për të ulur koston në rritje të fondeve të pensioneve për buxhetin. Qeveria me qasjen e saj mendoj se do ta konsiderojë mendimin dhe komentet e ekspertëve me përvojë dhe direkt të lidhur me pensionet që shprehen të mos cenohet integriteti i formulës ekzistuese. Mënyra më e pranueshme e qasjes për rritjen e pensioneve të ulëta duhet të jetë një veprim i sinkronizuar midis (a) subvencionimit të përvitshëm nga jashtë për kategoritë me pensione të ulëta me (b) indeksimin sipas minimumit jetik dhe (c) duke bërë edhe një kombinim të formulës ekzistuese me një paketë gjithëpërfshirëse të integrimit të skemës aktuale me fondet e pensioneve private.

Sa duhet të vendoset pragu për këto pensione, në mënyrë që të moshuarit të kenë mundësi të përballojnë jetesën?

Ashtu si u përmend në fillim të intervistës, duhet që pensioni të shërbejë për një jetesë të denjë, e cila është mbi pragun e minimumit jetik. Politikat e reja për pensionet duhet që të konsiderojnë koston e rritur të jetesës dhe qasja kryesore është që pragu për pensionet të fillojë pikërisht sa është në vitin 2023 niveli varfërisë relative deri 21 – 22 mijë lekë/muaj apo 240 mijë lekë në vit.

Si paraqitet ecuria e skemës së pensioneve private aktualisht?

Skema aktuale e pensioneve bazuar mbi sigurimin e detyrueshëm të individëve në moshë pune është një skemë që prej dekadash tashmë është deficitare, pra që nuk i mjafton ajo që mblidhet nga punonjësit dhe individët, por kërkon gjithmonë një pjesë deri 12% të pensioneve merret nga të ardhurat tatimore apo fonde nga burime të tjera të buxhetit. Situata e skemës publike pensionale aktualisht ka një balancë, ku nga numri i pensionistëve shtohen deri 16-18 mijë pensonistë të rinj në skemë dhe hyjnë në tregun e punës deri 22- 23 mijë punonjës të rinj, por ky numër ka ardhur në pakësim me kalimin e viteve. Ndërsa skema private e pensioneve, si një funksion mbështetës menaxhon fondet e një numri ende të ulët individësh, që arrin në fillim të 2024 deri në 6% të numrit të pensionistëve aktualë. Tendenca e pritshme për rritje duket se ka pak gjasa të ndryshojë edhe pas miratimit të një ligji të ri për pensionet private, pasi ndryshimi i bërë nuk mjafton për forcimin e skemës private, por duhet bërë një reformim tërësor dhe i harmonizuar me skemën publike. Këtu hyn në debat edhe reformimi ende i pamjaftueshëm i kësaj skeme, e cila duhet të ndihmohet me ndryshimin e gjithë paketës së ligjeve, e cila nga ekspertët tanë është analizuar në detaje dhe në shërbim direkt të këtij diskutimi fiskal dhe publik.

Cilat janë pikat që duhet të rishikohen në një perspektivë më largeë?

Analiza jonë sugjeron se duhet që politika duhet të përgjigjet në drejtim të pakësimit të bazës së punonjësve me masa të koordinuara edhe me bizneset dhe organizatat dhe ekspertët vendës për të adresuar rritjen e fuqisë aktuale të punës, formalizimin e tregut të punës dhe ekonomisë dhe bashkë me to rritet formalizimi i pagave, rritja e edukimit fiskal dhe financiar për brezin e ri por edhe punonjësit e rinj. Politika e pensioneve duhet të luftojë ndërmjet sigurimit të pensioneve të përshtatshme, duke e bërë këtë në mënyrë të përballueshme dhe në një mënyrë që individët të kenë një nxitje për të kontribuar. Sfida afatmesme dhe afatgjatë është një paketë të plotë për stopimin e plakjes së popullsisë, uljen e ritmeve të emigracionit për punë dhe arsimim e kualifikim, masa të drejta dhe shanse të barabarta për të rritur konkurrueshmërinë për vetëpunësuarit dhe komunikim bazuar mbi transparencë për të qartësuar mundësitë e skemës aktuale dhe kombinimin me skemën private për pensionet. Pra, shihet se politikat për perspektivën janë të natyrës reformuese të ekonomisë, të shpërndarjes së barrës së taksave, të destinimit të shpenzimeve sipas nevojave dhe jo programeve politike elektorale, si dhe një rritje e komunikimit midis qeverisë vendore dhe qendrore me qytetarët mbi parimet e qeverisjes së hapur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Hapat që po ndiqen për realizimin

Këtë vit pritet “5G” në Shqipëri

"Të gjithë presin fushatën e rivlerësimit me 3 për qind"

Bllokohet shitblerja e pronave, si e shpjegojnë agjentët imobiliarë

“Thjeshtimi i kritereve prodhon të paaftë“

Bursë për studentët me pesa, pse ekspertët janë kundër

Jugu me çmime të ‘kripura’

Pushuesit zgjedhin veriun për plazhet e lira