Policia e Shkodrës ka sqaruar disa detaje në lidhje me gjetjen e trupit të pajetë të 9-vjeçares në ujërat e lumit Buna, duke thënë se e mitura nuk kishte shenja dhune.
Nga ekspertiza mjekoligjore është zbuluar se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës nuk janë konstatuar shenja të dhunës fizike.
“Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për gjetjen në ujërat e lumit Buna, të trupit të pajetë të 9-vjeçares, ju informojmë se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
NGJARJA
Shkodra, por edhe gjithë Shqipëria u tronditën sot (5 maj) nga një ngjarje tepër e rëndë, ku për shkak të dhunës sistematike në familje, një nënë e re së bashku me tre fëmijët janë vetëflijuar duke u hedhur në lumë. Për këtë ngjarja tepër tronditëse, policia ka vënë në pranga bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të mitur, shtetasin Erdgys Arrazi.
Dy ditë më parë, 31-vjeçari ka bërë denoncimin në polici se gruaja tij, Alam Arrazi bashkë me tre fëmijët, 9,8 dhe 3 vjeç janë zhdukur, por në të vërtetë pas kësaj zhdukje qëndronte dora e një babai dhunues, që ka detyruar nënën bashkë me tre të miturit të ndërmarrë aktin ekstrem.
Mbrëmjen e djeshme, një peshkatar i zonës ka gjetur të pajetë në ujërat e lumit Buna, vajzën 9 vjeçe. Por deri tani (5 maj, ora 12:00) nuk dihet ende fati i nënës, Almës 39 vjeçe se bashku me dy fëmijët e tjerë, 8 dhe 3 vjeç.
ARRESTIMI I 31-VJEÇARIT
Dëshmia e motrës së Almës, e cila ka deklaruar në polici se motra e saj dhunohej barbarisht dhe në mënyrë sistematike, por edhe dhuna në trupin e vajzës, kanë bindur policinë që të arrestojnë babain Erdgys Arrizi.
Pista kryesore që po heton policia është dhuna në familje e shkaktuar nga bashkëshorti 31-vjeçar, i cili është arrestuar në Shkodër pas deklaratave kontradiktore që ka dhënë në polici.
31 vjeçari, i cili më parë ka qenë i dënuar për kultivim të bimëve narkotike, akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
DËSHMIA E MOTRËS SË 39-VJEÇARES
Motra e Alma Arrazit, pas njoftimit se ajo dhe 3 fëmijët janë zhdukur ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka treguar se Alma dhunohej barbarisht nga bashkëshorti bashkë me fëmijët.
Dëshmia e saj por dhe shenjat e dhunës në trupin e vogëlushes që u gjet e mbytur i krijuan bindjen policisë për ta vene në pranga Erdgys Arrazi për veprën penale të Shkaktimit të vetëvrasjes.
KËRKIMI I TRUPAVE TË ALMES DHE DY FËMIJËVE TË TJERË
Ndërkohë prej ditës së djeshme vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj 8 dhe 3 vjeç, të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në ujërat e lumit Buna. Palombarët janë duke kërkuar në zona të ndryshme të rrjedhës së lumit.
NJOFTIMI I POLICISE
Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje.
Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.
Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.