MENU
klinika

U godit me sende të forta dy ditë më parë

Gjendja e Sokol Mëngjesit vijon të mbetet e rëndë! Avokati në intubim

31.05.2024 - 10:40

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua dy ditë më parë në ish-Bllok, vijon të mbetet e rëndë.

Mësohet se gjendja e avokati të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në intubim prej pasdites së të mërkurës (29 Maj), nuk ka asnjë ndryshim.

Kur kanë kaluar 48 orë nga shtrimi në spital, juristi vazhdon të jetë në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion tek spitali i Traumës.

Sokol Mëngjesi u dhunua brutalisht nga tre të rinj rreth orës 08:30 sapo avokati kishte lënë djalin në kopsht.

Avokati u godit me doreza hekuri në pjesën e kokës dhe në momentin që ka rënë në tokë, është goditur serish me mjete të forta dhe shkelma, duke i shkaktuar dëme të shumta në kokë, përfshi hematomat dhe frakturat.

Dyshohet se urdhëruesi i sulmit ndaj juristit është Dritan Nano, me të cilin raportohet se ka pasur konflikt për një marrëveshje që kishin lidhur për një pronë.

Autorët e sulmit janë identifikuar si Dorian Alia 32 vjeç, Drivald Alia 21 vjeç, Elton Kasaj 33 vjeç, ndërsa Romario Tabaku 26 vjeç, i ka ndihmuar të largoheshin nga vendngjarja me makinë.

Dorian Alia është vetëdorëzuar në polici, ndërsa tre autorët e tjerë të ngjarjes së rëndë vijojnë të jenë në kërkim.

DËSHMIA E TË DORËZUARIT

Dorian Alia është një nga autorët e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm. Alia u vetëdozuar në Polici disa orë pas ngjarjes së rëndë, ku avokati Mëngjesi u sulmua barbarisht në derën e kopshtit të fëmijës së tij. Policia arrestoi Dritan Nanon si porositës së krimit, ndërsa kjo është pohuar edhe nga një prej autorëve, Dorian Alia. Sipas informacioneve, Alia ka deklaruar para policisë se sulmi fizik ndaj avokatit Mëngjesi u krye me porosi të Dritan Nanos. Sipas dëshmisë së Alisë, sulmi u “krye për miqësi”, ndërsa agresorët donin t’i bënin presion të hiqte dorë nga gjyqi që avokati Sokol Mëngjesi kishte hapur.

Në dëshminë e tij, Alia ka pohuar se sulmin e kishin planifikuar, avokatin e kishin ndjekur dhe rrinin vazhdimisht komunikohej mes personave që u përfshinë në sulmin brutal ndaj avokatit Mëngjesi. Në deklarime vijon Aliaj, ishin përgatitur për t’i dhënë mesazh Mëngjesit, pa menduar se situata do të rëndohej dhe avokati do të merrte dëme të rënda. Para policisë, ai ka treguar të gjithë skemën e se si e kanë planifikuar e deri te dhuna ndaj avokatit. Rezulton se ai është personi që ka goditur me grusht i pari Sokol Mëngjesin dhe më pas kanë qëlluar të tjerët.

Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.

HETIMET

Policia ka nisur kërkimet duke bërë të mundur të kryejë një sërë kontrollesh nëpër zonat në të cilat pretendohet se janë fshehur tre personat që kanë ikur nga Tirana. Kontrolle të imtësishme janë kryer edhe nëpër pikat kufitare me idenë që të moslargohen nga vendi, por ende nuk dihet nëse Policia e Tiranës, përveç shumës prej 20 mijë eurosh që ka hedhur për informacion të saktë për vendndodhjen e tyre, nuk dihet nëse ka nisur negociatat me familjarët e të rinjve të përfshirë në atë ngjarje të rëndë.

Pritet që ditën e sotme prokuroria të kërkojë arrest me burg për dy personat në fjalë, nën akuzën e vrasjes për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj tre autorëve të tjerë që janë në kërkim, konkretisht Drivald Alia, kushëri me Dorianin, dhe Romario Tabaku dhe Elton Kasajt, miq të Drivaldit. Ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes për shkak të detyrës e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. E njëjta akuzë do të rëndojë edhe ndaj tre të tjerëve të cilët kanë marrë arratinë! Nano është vjehrri i Dorian Alisë, ky i fundit është kushëriri i parë i Drivald Alisë, i shpallur në kërkim, dhe dy të tjerët janë miqtë e Drivald Alisë.

Prokuroria bëhet me dije se ka sekuestruar një kontratë të 8 anëtarëve të familjes Sheqeri, dhe një kontratë e firmosur edhe nga Dritan Nano, që është trashëgimtar nga ana e nënës së tij, që është bijë e familjes Sheqeri. Avokati mësohet se i ka përfaqësuar në të dyja shkallët dhe pasi është fituar gjyqi ai ka kërkuar dhe marrjen e përgjegjësive nga palët sipas kontratës, marrja e një sipërfaqe toke të caktuar, që është rënë dakord nga palët që do i jepej avokatit nëse fitohej çështja. Por Nano ka kundërshtuar për dhënien e kësaj prone sipas kontratës.