Ish-presidenti Hashim Thaçi është lënë në paraburgim, nga dhomat e specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Trupi gjykues ka lënë në fuqi masën ndaj ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi konstaton se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.
“Në konstatimin e fundit tregon se një rrezik i tillë vazhdon të eksizojë. Paneli e riktheu vlerësimin e tij të mëparshëm se Thaçi ka interesin dhe aftësinë për të ndikuar në procedurat; (ii) ka tentuar të nënvlerësojë KSC-në dhe ka ofruar përfitime për personat të thirrur nga SPO; (iii) ka një pozicion të ndikimit në Kosovë që mund t’i lejojë atij të përfitojë mbështetjen e simpatizantëve; dhe (iv) duke marrë parasysh gjyqin që po vazhdon, ka njohuri të shtuar për provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij.
Për më tepër, ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjen në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në Kosovë, çka Gjykata e Apelit ka pranuar si një konsideratë kontekstuale relevante. Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të gjashtëdhjetë e pestë dëshmitarë dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, thuhet në vendim.
Ndaj Thaçit dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi rëndon akuza për krime lufte. Në dosje thuhet: “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.