MENU
klinika

Kush qëndron pas ekzekutimit të shqiptarit në Athinë?

Karamuço: Ka dyshime për grupin që përfaqëson interesat e Ervis Martinajt

10.05.2024 - 19:19

Mbrëmjen e të enjtes u vra në një atentat mafioz në Athinë, 32-shqiptari Roan Brahimi, i konsideruar si armik i Ervis Martinajt.

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Special Report” tha se ka dyshime nga policitë partnere, por dhe ajo shqiptare, se aktualisht po vepron një grup i strukturuar kriminal për llogari të Vis Martinaj, i cili është shpallur i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Ai theksoi se referuar informacioneve operative, ky grup vepron në disa shtete të botës, por bazën kryesore e ka në Shqipëri.

Eksperti i kriminalistikës shtoi se Brahimi është ndjekur në disa shtete dhe pasi ka mbërritur në Greqi për festën e Pashkës është qëlluar për vdekje.

“Ka dyshime prej kohës jo vetëm nga policitë partnere, por edhe dhe ajo shqiptare për një grup, i cili është i mirëorganizuar dhe po merr hak në emër dhe për llogari të Ervis Martinajt. Ka informacione, që ky grup lëviz edhe në Shqipëri. Ky grup ka kryer disa goditje dhe disa atentate.  Ky grup ka një koordinim edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, me pjesëtarë që mund të japin informacion. Viktima që u vra në Athinë është ndjekur në disa shtete deri sa ka arritur në Athinë për festën e Pashkës dhe më pas është ekzekutuar. Ky grup përfaqëson interesat e të zhdukurit, Ervis Martinaj”, tha ai.

Sipas Karamuços, ky grup mund të cilësohet i rrezikshëm pasi është gjithë kohës në lëvizje dhe me rrjet inforamtorësh deri në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Është grup i rrezikshëm, që nuk rri vetëm në territorin shqiptar, por lëviz shumë, gjithë kohës është në lëvizje, por bazat I ka në Shqipëri. Dy tre herë ka pasur bastisje dhe kontrolle, por deri më sot aksionet kanë rezultuar joeficente dhe nuk ka pasur të arrestuar”, tha ai.

Gjatë diskutimit në lidhje live me “Special Report”, Karamuço, theksoi se grupi i dyshuar që vepron për llogari  të Vis Martinajt, ka në listë një listë të gjatë peronash, të cilët janë vënë në shënjestër të tyre.

“Ky grup ka një listë të gjatë peronash që duhen ekzekutuar. Vrasja në Greqi, ishte vrasja e radhës, jo e fundit. Mund të kemi të tjera vrasje në lidhje me rivalitetet e grupit, për të cilin fola më sipër”, theksoi Karamuço.