Eksperti i njohur i ekonomisë, Kujtim Hoxha ka folur për marrëveshjen e pensioneve që ka nënshkruar vendi ynë me Italinë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai shprehet se deklaratën e Ramës nga Italia se nga marrëveshja do të përfitojnë 421 mijë shqiptarë është një fasadë e qeverisë dhe propagandë, pasi qytetarët ende vazhdojnë kalvarin e mundimeve nëpër gjykata që t’ju njihet pensioni. Nga ana tjetër, mos deklarimi i siguracioneve të punonjësve apo dhe deklarimet fiktive të pagave nga vetë biznesi, Hoxha i konsideron si një problem për qytetarin pasi do t’ju njihen më pak vlerë kontribuuese e rrjedhimisht do të trajtohen me pension të ulët. Gjithashtu eksperti trajton dhe faktorët ndikues që frenojnë rregullimin e skemës së pensioneve ku apelon Institutin e Sigurimeve Shoqërore si përgjegjëse për gjetjen e viteve të punës nëpërmjet listë pagesave që kanë dalë nga borderotë e bizneseve.
-Rama gjatë vizitës me shqiptarët në Milano tha se 421 mijë shqiptarë do të përfitojnë nga marrëveshja e lidhur me Italinë, si e komentoni këtë deklaratë apo thjesht një propagandë për zgjedhjet 2025?
Kjo deklaratë nuk është gjë tjetër veçse vjen nga një qeveri fasadë dhe këtë e bën vetëm për të tërhequr vëmendjen e bashkatdhetarëve të cilët janë në hall sepse të huaj quhen në vendin e tyre dhe të huaj atje ku kontribuojë dhe punojnë. Akt-marrëveshja u krijua për t’ju ardhur në ndihmë shqiptarëve të cilët kanë një pjesë të periudhës së punës këtu në Shqipëri. Por qeveria shqiptare me 1000 bela, mundohet t’i pengojë dhe i pengon aktualisht sot për të marrë një pension në vendin e tyre të lindjes. Për të gjithë kontributet se është Rama apo se nuk është Rama, për kontributet që shtetasit shqiptar kanë dhënë në shtetin Italian apo në vendet e tjera të Europës, askush nuk ua mohon të drejtat për kontributet që kanë derdhur. Problemi qëndron për atë pjesë që pretendohet se do të bëhet bashkimi i vjetërsisë në punë të periudhave që kanë kontribuar në Shqipëri. Sot nëpër gjykatat shqiptare janë rreth 115 mijë shqiptarë të cilët nuk gjejnë të drejtën në vendin e tyre e jo më ta gjejnë vendin në vendet e Europës, pasi pjesa më e madhe e gjyqeve që vazhdojnë kalvarin e tyre prej disa vitesh, janë me sigurimeve shoqërore. Pikërisht se lartmadhëria bën propagandë për këtë gjë dhe nuk i njeh vitet e siguruara pasi nxjerr ligjin 169/2020 dhe askush nuk e dëgjon dhe deklaratat i bën vetëm në aparencë që do iu bashkohen vitet e pensioneve dhe njerëzit nuk kanë dokumenta e shkojnë vërdallë nëpër gjyqe.
– Mos deklarimi i siguracioneve të punonjësve nga biznesi në ISSH, a ndikon si faktor çrregullues në skemën e pensioneve?
Patjetër, pasi kjo gjë ka ndikimin e vetë sepse njerëzit duke mos patur kontributet e tyre ka një efekt të dyfishtë pasi njerëzit që do të marrin pensionet në Itali dhe vendet e tjera ku janë nënshkruar marrëveshjet do të marrin dhe kontributet. Atë pjesë që shqiptarët kanë kontribuar këtu. Por këtu është një pikë PPP-je që vazhdon vjedhjet e vazhdueshme dhe shkon deri aty sa vjedhin edhe fondet e sigurimeve shoqërore të njerëzve që janë në nevojë. Në vendin tonë ka biznese që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve, kanë punonjës të cilët punojnë akoma në të zezë, siç ishte rasti i deputetit të Lushnjës ku iu gjetën punonjës të cilët punonin në të zezë babë e bir. Inspektorati i Punës ngre zërin vetëm kur ka raste të punonjësve që dëmtohen në vendin e punës, deri në humbje jete, pasi nuk e ka në praktikën e saj për të kontrolluar biznesin për kushtet e sigurisë.
-Deklarimi i pagës fiktive të punonjësit a bën që kjo gjë të çekuilibrojë ekonominë e vendit dhe mirëqenien e punonjësit?
Sigurisht, kur punonjësit nuk i deklaron pagën reale, mbase mund t’i duket mirë kur merr rrogën se i duket si diçka më shumë pasi pjesën tjetër e merr nën dorë por kur të vij koha e pensionit, ai ka kontribuar më pak e rrjedhimisht do të marr një pension më të ulët. Këto janë të gjithë faktor ekonomik të lidhura me pensionet.
-Për vite me radhe skema e pensioneve shihet si një problem madhor duke ndikuar ne mos rritjen e pensioneve dinjitoze, çfarë faktorësh real radhisni për rregullimin e kësaj gjeje?
Këtu janë tre-katër probleme që rregullohen por nuk duan që t’i rregullojnë. Së pari, është standardizimi i dokumentave. Sepse mbi bazën e dokumentave do të kalkulohet pensioni. Pra, shteti nuk i ka këto. Së dyti, në ligjin e sigurimeve shoqërore është parashikuar që nga viti 1994 e në vazhdim duhet të kenë edhe listën me vitet e pagës. Sot iu mungojnë Sigurimeve Shoqërore në rang republike 910 mijë listë-pagesa. Si do t’i gjejnë vitet e punës, pasi secili nga ne apo të afërmit tonë i kanë vitet bosh në siguracione pasi nuk kanë patur listë pagesa. Sot jo vetëm bizneset private por ka dhe subjekte shtetërore të cilat nuk kanë derdhur sigurime shoqërore për punonjësin dhe i kanë muajt dhe vitet bosh. Në drejtoritë rajonale të Policisë ku më vijnë në zyrë në mënyrë të vazhdueshme në zyrë dhe konstatoj që këto persona nuk kanë të deklaruar pagat. I drejtohem Sigurimeve Shoqërore që e kanë për detyrë për të gjetur sa e kanë patur pagën për të parë listë-pagesat, kur nuk ka ndodhur gjë, ku bëhet fjalë për vitet 2004, 2005 e deri në 2011.