Shtatë pako me kokainë janë gjetur të fshehura në një furgon mallrash gjatë kontrollit në portin e Durrësit.
Furgoni i përket kompanisë ‘Bledi Travel” e cila merret me transportimin e pakove për emigrantët në itinerarin Shqipëri – Itali – Angli.
Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për të mos u nuhatur nga qentë anti-drogë.
Policia e Durrësit ka dhënë informacionin lidhur me arrestimin e 7 kg kokainë dhe pamjet e operacionit.
Policia thotë se ushtroi kontroll të detajuar në vijën e dyttë në dalje në furgonin që drejtohej nga Arjan Doçi, 40 vjeç, ku u gjet droga e fshehur në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim. 7 pakot e drogës ishin të mbështjella me natriban. Në pranga u vu dhe pronari Mentor Çuni, 28 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.
“Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative të strukturave hetimore të Policisë së Shtetit, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta.
Gjenden të fshehura në një furgon dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 pako me lëndë narkotike kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.
Vihen në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i fugonit ku u gjet lënda narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi A. D.
Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit;
-M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.
Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në drejtimin Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.”-thuhet në njoftim.