Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, është shprehur se misioni ushtarak përveç se ka burime të mira, është i përkushtuar të parandalojë çdo rrezik të përshkallëzimit.
I pyetur nëse ekziston vërtetë rreziku që Serbia të sulmojë ushtarakisht Kosovën, siç kanë artikuluar liderët institucional në Prishtinë, Ulutas tha se po monitorohet gjithçka.
“Ne vazhdimisht monitorojmë të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i ka burime të mira dhe është krijuar për t’u përballur me të gjitha sfidat që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.
Ndërsa sa i përket planeve për rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, ai tha se aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet e KFOR për sigurimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i vendosur mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij si reaguesi i tretë i sigurisë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX)”, tha ai.