Pas debateve të shumta në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për të dhënat e TIMS-it, është vendosur që dëshmia e ministrit te Brendshem, Taulant Ballës të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Kryetari i komisionit Ervin Salianii ka argumentuar se Balla duhet të dëshmonte me dyer të hapura, por në fund është vendosur e kundërta.
Më herët ministri i Brendshëm Taulant Balla kishte bere një kërkesë ku kërkohej që për shkak te sekretit hetimor, seanca degjimore e tij te zhvillohej me dyer te mbyllura.
Kerkesa e ministrit Balla
Të nderuar,
Në vijim të thirrjes për dhënien e dëshmisë në Komisionin Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS”, sot më datë 15.05.2024, ora 17:00, ju informoj se, si Ministër i Brendshëm, informacionet që disponoj lidhur me çështjen e “TIMS”, bazohen në dokumentacion dhe të dhëna që janë përcjellë nga agjencitë ligjzbatuese kompetente, konkretisht nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Duke qenë se informacionet e marra nga institucionet e sipërcituara përbëjnë informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror”, bazuar në nenin 12 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i ndryshuar me ligjin nr. 106/2023, dhe në ligjin nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, vlerësoj se anëtarët e nderuar të këtij Komisioni, duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP) dhe mbledhja e Komisionit të zhvillohet me dyer të mbyllura, në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni.
Gjithashtu, rezulton se çështja e “TIMS” është objekt hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e për pasojë, të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,
MINISTRI
Taulant Balla