MENU
klinika

Reagimet e deputetëve të Bundestagut

Kosova jashtë agjendës së KiE, gjermanët reagojnë ashpër

18.05.2024 - 10:23

Kanë vazhduar reagimet dhe kritikat e deputetëve gjermanë për mospërfshirjen e Kosovës në rendin e ditës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Të ashpër në reagimet e tyre kanë qenë edhe deputetët e Bundestagut, Knut Abraham dhe Michael Roth.

Abraham, përmes një postimi në platformën “X”, sikurse edhe deputetë të tjerë gjermanë ka kritikuar qeverinë e vendit të tij që nuk e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Mospranimi i Kosovës, pasi u plotësuan të gjitha kushtet, e dobëson besueshmërinë e KE-së. Nuk ka shumë për të festuar në këtë ditëlindje të 75-të, nëse Komiteti i Ministrave thjesht injoron Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dhe derisa 13 shtete e kanë mbështetur Kosovën sot, Gjermania nuk e ka bërë”, ka shkruar Abraham.

Ndërsa, deputeti tjetër, Michael Roth, ka thënë se Evropa po e humb ndikimin në Ballkanin perëndimor, kurse Kina dhe Rusia po fitojnë terren.

“Ndyrësirë. Evropa do të humbasë gjithnjë e më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Situata po përkeqësohet. Nacionalizmi, autoritarizmi, ndikimi në rritje i Kinës dhe Rusisë në rajon janë një kërcënim. Lidershipi dhe guximi kanë rëndësi. Këshilli i Evropës nuk do të jetë i plotë pa Kosovën”, ka shkruar Roth.

Ndaj qëndrimit të Qeverisë gjermane për mospërfshirjen e Kosovës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE, ka reaguar edhe deputeti socialdemokrat, Frank Schwabe.

Ky i fundit ishte angazhuar të siguronte 2/3 e votave për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se në takimin e javës së ardhshme të Komitetit të Përhershëm të KiE do të diskutohen hapat e mëtejshëm

“Dështimi i qeverisë [gjermane] për të pranuar sot Kosovën në Këshillin e Evropës pas miratimit mbi 80 për qind në Asamblenë Parlamentare është një gabim i rëndë. Kosova i përmbush obligimet e përcaktuara nga Asambleja Parlamentare”, ka shkruar Schwabe.