MENU
klinika

Analiza

Kriza e legjitimitetit të Erdoganit dhe pasojat e saj

02.05.2024 - 09:30

Zgjedhjet lokale të 31 marsit 2024 i dhanë një goditje shumë të fortë presidentit turk Erdogan. Për herë të parë që kur partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), erdhi në pushtet në vitin 2002, ajo u rendit e dyta në rang kombëtar.

Përmes asaj që tani duket si një llogaritje e gabuar e tmerrshme politike, Erdogan, që bëri fushatë kudo pa u lodhur, duke zgjedhur ta quajë procesin si një referendum mbi sundimin e tij. I pamësuar me humbjen, përballet tani me një krizë të paprecedentë legjitimiteti me pasoja si për politikën e brendshme ashtu edhe për atë të jashtme.

Fjalimi i tij pas shpalljes së rezultateve u duk si rrallëherë pajtues, pasi ai i quajti zgjedhjet një fitore për demokracinë. Megjithatë, që nga viti 2002, ai është shndërruar në një udhëheqës populist dhe autoritar që kontrollon i vetëm të gjitha aspektet e sistemit politik turk.

Sundimi i tij mbështetej mbi dy shtylla: një autoritare që e eliminoi autonominë e institucioneve, duke filluar me gjyqësorin dhe Bankën Qendrore, dhe sot të gjitha organet i nënshtrohen tekave dhe dëshirave të tij. Udhëheqësit e shoqërisë civile, politikanë dhe gazetarë burgosen vazhdimisht me kërkesë të tij. Në realitet nuk ka politikë të jashtme të Turqisë por të Erdogan.

Ndërkohë shtylla e dytë e ngrehinës së tij politike është populizmi. Ai ka krijuar një imazh të vetes si “një njeri i popullit ”, që ashtu si të gjithë politikanët e tjerë populistë, lufton ndaj elitave të korruptuara dhe kastës së vjetër të elitës. Ky mesazh përhapet pandërprerë nga të gjitha kanalet e shtypit dhe informacionit, private dhe publike, që ai kontrollon.

Por rezultatet e zgjedhjeve të fundit, e kanë prishur kolonën e dytë. Partia kryesore e opozitës, Partia Republikane Popullore (CHP), të cilën ai e kishte krahasuar me elitën e vjetër e të korruptuar, ia kaloi AKP-së në mbarë vendin. Ajo mbajti të gjitha bashkitë që zotëronte dhe fitoi në shumë të tjera të sunduara deri dje nga AKP.

Megjithatë, disfata ishte më e hidhur në Stamboll, qyteti më i madh, zemra ekonomike e Turqisë dhe objektivi qendror i Erdoganit. Ai e ka nisur karrierën e tij politike atje. Po ashtu Stambolli është burimi i bizneseve që e financojnë partinë e tij. Ai e kundërshtoi me hidhërim humbjen në vitin 2019, dhe ndërmori çdo lloj hapi për të dëmtuar kryebashkiakun popullor të qytetit, Ekrem Imamoglu.

Për pasojë ndaj tij u hapën çështje të dyshimta gjyqësore me synim shkarkimin nga detyra. Por pavarësisht presionit të madh, Imamoglu e mposhti kandidatin e Erdogan duke fituar një shumicë absolute. Po ashtu opozita fitoi shumicën e vendeve në këshillin e qytetit, që më parë ishin dominuar nga AKP, e cila kishte sabotuar shumë nga politikat e saj.

Një politikan i shkëlqyer, karizmatik dhe shumë ndryshe nga paraardhësit e tij CHP, Imamoglu është shfaqur tani si kundërshtari kryesor i Erdogan. Humbja e fundit shërben vetëm për të thelluar sfidat me të cilat përballet Erdogan. Kriza ekonomike e Turqisë, e karakterizuar nga norma të larta inflacioni, ishte një nga arsyet kryesore për tkurrjen e elektoratit të AKP.

Që nga fillimi i kësaj dekade, Turqia po përballet me këto norma të larta inflacioni. Situata u përkeqësua më tej pasi në kundërshtim me parimet ekonomike tradicionale, Erdogan ndoqi politikën e normave të ulëta të interesit për të nxitur rritjen ekonomike.

Pavarësisht se arriti kulmin në 85 për qind në tetor 2022, Erdogan e detyroi Bankën Qendrore të vazhdonte të ulte normat bazë deri në 8.5 për qind në maj 2023. Në kushtet e një kolapsi të plotë ekonomik që po shfaqej në horizont, ai bëri një kthesë në qershor 2023 duke riemëruar si Ministër të Financave Mehmet Simsek.

Simsek, një figurë e respektuar ndërkombëtarisht nga investitorët, nisi një kthim hap pas hapi në politika ekonomike tradicionale. Gjithsesi, norma zyrtare e inflacionit ishte afro 70 për qind në prag të zgjedhjeve lokale. Një deficit i lartë i llogarisë korente dhe të ardhurat e ulëta nga këmbimi valutor, e përkeqësojnë më tej panoramën e përgjithshme ekonomike dhe kufizojnë hapësirën e Turqisë për të manovruar në arenën ndërkombëtare.

Turqia është sot shumë më e varur nga vullneti i mirë i investitorëve të huaj dhe nga mbështetja e qeverisë amerikane dhe evropiane. Përveç problemeve ekonomike, ajo ka të ngjarë të ndeshet me sfida të tjera. Më kryesorja është perceptimi se sundimit të tij populist-autoritar i ka ardhur fundi.

Imamoglu ka të ngjarë të jetë konkurrenti më i fortë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Për më tepër, Erdogan shpresonte të organizonte një ndryshim kushtetues që do ta lejonte të kandidonte përsëri në fund të mandatit të tij aktual në vitin 2028. Po kjo lëvizje duhet të shtyhet për më vonë, me shpresën e një mjedisi më të favorshëm.

Pavarësisht nga këto rrethana të paprecedenta, do të ishte e gabuar që të konsiderohet që tani jashtë loje. Ai do të tentojë të rindërtojë mbështetjen e tij elektorale. Por cilat janë opsionet e tij për të ardhmen? Kufizimi më i madh me të cilin përballet është gjendja e ekonomisë, e cila varet shumë nga investimet e huaja direkte, turizmi dhe eksportet e prodhimit në vende të zgjedhura perëndimore.

Planit ekonomik të Simshek do t’i duhen të paktën 2 vjet të tjera për të dhënë rezultate të dukshme. Ndërkohë stili i tij qeverisës kohët e fundit, është karakterizuar gjithnjë e më shumë nga retorika përçarëse, veprimet agresive brenda dhe jashtë vendit, dhe ndjekja e objektivave nacionaliste të kombinuara me një agjendë të zhurmshme anti-perëndimore, veçanërisht anti-amerikane.

Këto të fundit synonin të forconin stilin e tij karizmatik të lidershipit dhe kreditet nacionaliste. E megjithatë, publiku turk është gjithnjë e më i lodhur nga këto politika, pasi ai po përballen me përkeqësimin e kushteve ekonomike, teksa po forcohet perceptimi se Erdogan i ka braktisur ata.

Prirja e tij e parë ishte të vazhdonte dhe madje të forconte përndjekjen ndaj opozitës. Kjo përfshinte burgosjen e me shumë kundërshtarëve, realë dhe të imagjinuar, mbylljen e mediave dhe ngacmimin e opozitës kurde. Pas zgjedhjeve të vitit 2019, kryebashkiakët e zgjedhur kurdë në juglindje të vendit u shkarkuan pa shpjegime dhe u zëvendësuan me zyrtarë të emëruar nga qeveria.

Por këtë herë, kurdët ishin përgatitur të rezistonin dhe të përballeshin me qeverinë, me mbështetjen e pritshme nga një CHP me më shumë vetëbesim nën udhëheqjen saj të re. Veçanërisht në Stamboll, kurdët, edhe pse jo zyrtarisht në koalicion me Imamoglu, morën një vendim strategjik për ta mbështetur atë duke e ndihmuar që të fitojë.

Nëse do të jetë i kufizuar brenda vendit, një opsion tjetër për Erdogan është të rrisë presionin mbi kundërshtarët dhe rivalët rajonalë. Midis këtyre të fundit janë kurdët sirianë të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të cilët po luftojnë ndaj ISIS. Kohët e fundit vizitoi Irakun dhe Qeverinë Rajonale të Kurdistanit, KRG, rajonin verior autonom kurd në vështirësi ekonomike dhe politike, ku u prit mirë.

Ndër qëllimet e tij kryesore ishte koordinimi i një operacion ndërkufitar kundër kryengritësve kurdë turq të rrethuar në malet e Irakut Verior. Nga ana tjetër, ringjallja e tensioneve në Mesdheun Lindor me Greqinë nuk është gjithashtu një opsion, duke pasur parasysh varësinë e Turqisë nga Bashkimi Evropian në këtë moment krize ekonomike.

Në fakt, qëndrimi shumë më agresiv kundër Izraelit, është ndoshta i vetmi opsion relativisht pa kosto që ka aktualisht në dispozicion. Menjëherë pas 7 tetorit, Erdogan shprehu mbështetjen e tij të fortë për Hamasin, duke pretenduar se nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup “mücahit” (luftëtarë të Islamit).

Por denoncimet e tij të forta ndaj Izraelit kanë ndikuar në marrëdhëniet e tij me Uashingtonin. Ai mezi kishte arritur të siguronte një ftesë shumë të lakmuar për t’u takua me Biden në Shtëpinë e Bardhë. Por vizita e 9 majit u anulua. Sidoqoftë, Erdogan do ta mbajë Izraelin në qendër të veprimeve të tij në të ardhmen e afërt.

Po ashtu ai mund të ndjekë strategji alternative që kërkojnë paqen e brendshme, si gjatë viteve të tij të mëhershme në pushtet, kur ai mbrojti demokracinë, tregjet e lira, më pak ndërhyrje të qeverisë dhe integrimin me Perëndimin. Por kjo do të kërkonte që ai të braktiste retorikën e tij luftarake, të afrohej me kurdët, të reduktojë represionin e ashpër dhe të lirojë të burgosurit e burgosur me akuza të sajuara, si ish-udhëheqësi i partisë kurde Selahattin Demirtas.

Por do të ishte joreale të pritej që ai të ndryshojë. Erdogan i pranon rrallë gabimet dhe e ka rrethuar veten me servilë. Stili i tij luftarak është në qendër të personalitetit të tij populisto-autoritarist. Kjo e ka lejuar atë të dominojë skenën qendrore dhe të gjitha bisedat politike në Turqi, dhe ai do të ketë vështirësi të pranojë realitetin e ri politik.

Ai do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj kundërshtarëve të tij, duke përfshirë Imamoglun, dhe do të testojë kufijtë e asaj që mund të bëjë. Kundërshtimi ndaj Izraelit mund të plotësojë nevojën e tij për shikueshmëri në arenën ndërkombëtare. Por do të zhgënjehet pasi të përfundojë lufta, pasi Turqia do të pengohet nga çdo pjesëmarrje e ardhshme në rindërtimin e Gazës.