Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton për kriminalitetin për vitin 2023 në Komisionin e Ligjeve.
Ai u shpreh se përgjatë vitit 2023, në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme. Gjithashtu zbuloi se qarku me kriminalitetin më të lartë për 100 mijë banorë është Vlorë, ndërsa me kriminalitetin më të ulët qarku Dibër.
Ndër të tjera, Çela u shpreh se në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit.
Sipas Çelës, në kuadër të hetimeve janë përgjuar 2675 telefona në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Prokuroria ka regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim. Prokurori Çela tha se është rritur roli aktiv për hetimin e veprës penale të korrupsionit.
“Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 . Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale.
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.
Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.
Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %
Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar.
Janë paraqitur në gjykatë 12259 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal. Lidhur me të dhënat për caktimin e masave të sigurimit shtrënguese për vitin 2023, për 55,31 % të të pandehurve të regjistruar ( 32,03 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se 59,32 % e kërkesave, lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për 32,81 % të të pandehurve regjistruar ( 19 % të personave në hetim). Në raport me vitin 2002, në tërësi vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit”, tha Çela.
Gjithashtu 44 procedime penale për korrupsion janë transferuar për kompetencë në SPAK të cilët kanë regjistruar 32 procedime penale