Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, foli për votën e Diasporës.
Kume theksoi se duhet të ishte realizuar shumë më herët, por kjo nuk është bërë vetëm për shkak se ka munguar vullneti politik. Ai u shpreh se nuk pret që të kjo të realizohet formalisht në 2025.
“Të votohet edhe nga jashtë vendit, t’u jepet mundësi shtetasve që kanë të drejtë vote, por që nuk kanë vendbanimin në Shqipëri, është diçka që duhet të ishte bërë me kohë tek ne. Është një standard i parealizuar, jo sepse është vështirë që të realizohet, por sepse ka munguar dëshira nga partitë politike për ta bërë diçka të tillë. Partitë politike tek ne, vëmendje të shtuar i shtojnë këtij momenti se si të mund të kontrollojnë votën. Nisma që kemi marrë synon të vendosë në kushtet të barabarta dy subjekte që Kushtetuta ju njeh të drejtën për të paraqitur kandidatë, për Kuvendin e Shqipërisë, Këshilla Bashkiak”, theksoi Kume.
Gjatë kësaj interviste, Kume shtoi se ajo çfarë kërkojnë është një qasje ndryshe e mënyrës, se si duhet të ushtrohet demokracia në vendin tonë.
“Ne propozojmë që nëpërmjet Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve t’u krijohet mundësia të garojnë me një listë kandidatësh të pavarur. Pra kërkojmë të bëjmë një qasje ndryshe të mënyrës së si e ushtrojmë demokracinë në vendin tonë. Kjo që kemi bërë deri më sot ka treguar që është e bashkëshoqëruar me shumë probleme të mëdha”, theksoi më tej Kristaq Kume.
Së fundmi vuri theksin tek administrimi i votës parapëlqyese, dhe se duhet të ketë 4 njësi zgjedhore.
“Pra qytetarët duhet të kenë më shumë mundësi se ato që kanë sot, për të qenë ata vendimmarrës për atë që do të qeverisin nesër këtë vend”, përfundoi Kume.