MENU
klinika

"Forcat serbe ndodhen në kufi"

Kurti: Rreziku i një lufte të re në rajon është afër

23.05.2024 - 17:41

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Serbia po intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke paralajmëruar se ka rrezik të vërtetë për një luftë të re në rajon.

Gjatë fjalimit në Konferencën e Mbrojtjes, që po mbahet në Londër, Kurti tha se rreshtimi i Serbisë me Rusinë, “qasja shkatërruese” ndaj Kosovës dhe armatimi i shpejtë “janë tregues se qëllimi i Serbisë është përshkallëzimi me synim të realizimit të ambicieve të saj territoriale”.

Ai shtoi se në kohën kur Evropa po përjeton një luftë, duke iu referuar luftës në Ukrainë, nuk duhet të injorohet edhe një luftë më rajon.

“Tre nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, përfshirë 48 baza operuese përreth kufirit me Kosovën, duke mos përfshirë edhe njësi të tjera të specializuara, janë të stacionuara në jug të territorit, afër kufirit me Kosovën. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit të kaluar.

Nga sulmi i një grupi të serbëve të armatosur u vra një rreshter, ndërkaq në përleshjet që pasuan në dhe përreth Manastirit të Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçië, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kurti tha se grupi prej afër 100 individësh të armatosur kishin hyrë në Kosovë “me një plan për një konflikt më të gjatë dhe më të gjerë në pjesën veriore të shtetit tonë”.

“Nuk është vetëm rreshtimi i Serbisë me Rusinë që sugjeron se qëllimi i grupit ishte të replikonte atë që Rusia bëri në Donbas më 2014”, tha Kurti.

Ai iu referua konfliktit në lindje të Ukrainës që nisi më 2014 mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase.

Kurti tha se “nuk ka mëdyshje” se kush është fajtor për sulmin në Banjskë.

"Përbën kërcënim për politikën e jashtme të SHBA"

Biden zgjat urdhrin për gjendje të jashtëzakonshme në Ballkan

Ambasadori Rohde kundërshton idenë e Hill

Gjermania dhe SHBA “përplasen” për Kosovën

Një epokë e re e pret dialogun Kosovë-Serbi

Figurat e reja që do të ndërmjetësojnë mes Kosovës dhe Serbisë

Masa kufizuese edhe Republikën Islamike të Iranit

Kosova vendos sanksione shtesë Rusisë