MENU
klinika

"Ka pasur 4 tentativa për ta eliminuar!"

Kush është prokurori shënjestër e bandave? Anila Hoxha jep detajet

28.05.2024 - 14:18

Gazetarja e njohur e kronikës, Anila Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me lajmet e fundit që vijnë nga SPAK, por gjithashtu edhe ngjarjet tronditëse që kanë shkaktuar reagime të shumta ditët e fundit në publik.

SPAK njoftoi sot se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim grupin kriminal që organizoi atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vdekur shoferi i tij, Andi Maloku.

Anila Hoxha dha detaje tronditëse teksa u shpreh se bazuar në përgjimet e aplikacionit SKY ECC ka pasur 4 tentativa për vrasjen e prokurorit.

“Bazuar në zbërthimin e komunikimeve në aplikacionin Sky, prokurori i çështjes dhe prokuror i posaçëm zoti Adnan Xholi, thotë në kërkesën për gjykim, të dorëzuar një javë më parë në Gjykatën e Posaçme se, të gjithë të dyshuarit kanë tentuar edhe përpara se të finalizonin atentatin në autostradën Tiranë Durrës, ku ngeli i vrarë Andi Maloku, edhe 4 raste të tjera për të vrarë prokurorin e Durrësit, zoti Arjan Ndoja. Njëri prej këtyre episodeve ka ndodhur përpara atentatit të 2019-ës, ku rezulton nga komunikimet me persona të tjerë të shpallur ende në kërkim dhe ende të pagjetur nga policia se, ata e kanë gjurmuar prokurorin Arjan Ndoja në zonën e Shëngjinit, e madje ka ndarë edhe role të caktuara se ku duhet ta vrisnin atë dhe kush duhet ta qëllonte”, shprehet Anila Hoxha.

Gazetarja, bazuar në dosjen e Prokurorisë, thotë se të dyshuarit kanë tentuar të vrisnin babanë e Andi Malokut, vëllanë e Rrumit të Shijakut si dhe noterin Miri Prifti.

“Nga ana tjetër, prokurori i posaçëm i SPAK zoti Xholi vijon në kërkesën e tij për gjykim se edhe mbas atentatit të 2019 në adresë të prokurorit të Durrësit dhe gjithashtu edhe në adresë të babait Andi Malokut të zotit Genci Maloku, janë adresuar dhe janë thurur plane për ta vrarë dhe babain e të ndjerit, pra babain e shoferit të prokurorit dhe së bashku me të të vrisnin edhe vëllain e Rrumit të Shijakut (Aleksandër Lahos), pra shtetasin Vullnet Muça alias Muharremi.

Po gjithashtu në këtë episod, në këtë kërkesë, konsiderohet se atentati dështoi edhe në adresë të Rrumit të Shijakut, shtetasit Aleksandër Laho. Por nga ana tjetër bëhet me dije se grupi dhe të dyshuarit kishin planifikuar që të vrisnin edhe noterin Miri Prifti, i cili në të vërtetë konsiderohet si një vrasje e ngelur në tentativë në adresë të tij”, tha ajo.

Hoxha gjithahstu tha se “janë pushuar hetimet sa i takon një shtetasi tjetër, i cili u arrestua dhe ndaj të cilit u vendosën masë sigurie në janar 2023 ndaj shtetasit Marsel Deçka, për të cilin prokurori i posaçëm konsideron se nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën, dhe për këtë arsye kërkohet gjyqtarit paraprak që hetimet ndaj tij të pushohen”

“Burime të sigurta më bëjnë me dije se katër nga personat e kërkuar dhe konkretisht Plaurent Dervishaj, Julian Meça dhe Amar Shkëmbi ka dyshime se gjenden në Dubai dhe ky lokalizim vjen nga komunikimet që ka patur drejtësia shqiptare dhe prokuroria e posaçme SPAK me institucionet përkatëse në Dubai. Ndërkohë që i dyshuari i katërti Bledar Polovina, dyshohet se është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, janë gjithashtu të arrestuar dhe masa sigurie prej janarit 2023 edhe Ramazan Raja, që është nipi i ish deputetit socialist. Ndërkohë, në adresë të Redjan Rrajës dhe Arjon Halilit, gjykata e Shkallës së Parë ka shpallur vendime përkatëse për atentatin e dështuar në adresë së prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja dhe ndërkohë çështja vijon të jetë dhe pritet të jepet vendim në datën 4 në gjykatën e Apelit të Posaçëm ndaj këtyre 2 shtetasve të arrestuar fill pas atentatit të ndodhur dhe të realizuar në autostradën nacionale Tiranë – Durrës.

Në të vërtetë hetimet bazohen jo vetëm në zbërthimin e komunikimeve SKY të përcjella nga drejtësia franceze, por po ashtu janë bashkangjitur edhe prova të tjera, në të cilat prokurori Adnan Xholi thotë se “tej çdo dyshimi të arsyeshëm, personat që unë përmenda së bashku me persona të tjerë, kanë planifikuar që të eliminojnë prokurorin”, i cili rezulton se vijon të jetë me një mbrojtje të posaçme të vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë prej vitit 2019, Një mbrojtje, e cila i përfundon në qershor 2024 dhe që pritet sërish që të rinovohet me kërkesë të prokurorit”, u shpreh Anila Hoxha.

E pyetur se përse autorët donin të vdekur Genci Malokun, babanë e Andi Malokut, Anila Hoxha tha:

“Genci Maloku bëri apel e disa herë për drejtësi dhe kërkoi vënien e drejtësisë dhe reagim të institucioneve shtetërore për gjetjen e autorëve dhe natyrisht që grupet kriminale në momentin që eleminojnw dhe kuptojnë rrezikun ato fillojnë të angazhohen sërish për të eleminuar edhe persona të tjerë të cilët i konsideron si rrezik të shtuar e po ashtu si njw burim të dhëna se ata mund të eleminojnë, edhe mund të marrin hak. Dhe natyrisht për këtë arsye është bërë plani dhe është thurur plani që të vritet dhe babai i Andi Malokut”