MENU
klinika

Analiza

Lufta në Ukrainë dhe nevoja e ngutshme e zgjerimit të Evropës

11.05.2024 - 09:30

Zgjerimi i 2004-ës shënoi fillimin e ribashkimit të Evropës, është koha që ky proces të përfundojë

Përvjetori i tij kaloi thuajse pa u vënë re, aq shumë është i tronditur kontinenti nga rikthimi i luftës në territorin e tij. Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia, ka lënë në hije një nga sukseset më të papritura dhe zhvillimore të Bashkimit Evropian: zgjerimin e madh të vitit 2004, i cili sapo ka festuar 20 vjetorin e tij.

Dhe lufta që po vazhdon ende, e nënvizon akoma më shumë rëndësinë e asaj ngjarjeje. Më 1 maj 2004, 10 vende, duke përfshirë 3 ish-republika sovjetike dhe shumicën e shteteve të ish-Bllokut Lindor, iu bashkuan klubit të BE-së: Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe Qiproja dhe Malta.

Anëtarësimi i tyre, i dha fund një procesi të gjatë të anëtarësimit që filloi pas Luftës së Ftohtë. Rumania dhe Bullgaria i pasuan në vitin 2007. Entuziazmi në këto dy vende është i vërtetë, ndërsa të tjerat kanë ndjenja të dykuptimta.

I mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ky zgjerim i madh e çimentoi fitoren e Evropës Perëndimore mbi regjimet e zhdukura komuniste, që qenë dikur nën thundrën e Bashkimit Sovjetik tanimë i shpërbërë. Megjithatë, ajo shënoi gjithashtu fillimin e një procesi të gjatë dhe ndonjëherë të dhimbshëm të ribashkimit për kontinentin e vjetër.

Ai ishte në vazhdën e ribashkimit të Gjermanisë, teksa Evropa “e vjetër” dhe “e re” e patën fillimisht të vështirë të ri-zbulonin njëra-tjetrën. Mjafton të kujtojmë përçarjet e shkaktuara nga lufta në Irak. Në vitin 2003, vendet që aplikonin për anëtarësim në BE – dhe që ishin gjithashtu kandidate për NATO – u rreshtuar në krah të SHBA-së për të rrëzuar Sadam Huseinin, kundër këshillës që jepnin Franca dhe Gjermania.

“Ata humbën një mundësi të artë për ta mbyllur gojën”- tha ish-presidenti francez Jacques Chirac, gjatë një samiti evropian në Bruksel. “Këto vende janë sjellë jo shumë mirë, dhe janë shumë të pamatura në raport me rrezikun e përafrimit shumë të shpejtë me pozicionin e SHBA-së”.

Ajo deklaratë jo vetëm që e befasoi shoqëruesin e tij, por pati edhe një efekt të qëndrueshëm në marrëdhëniet midis “anëtarëve të rinj” të BE-së dhe Francës, e cila prej kohësh ishte shumë e rezervuar për këtë përshpejtim të historisë.

Në vitin 2005, polemika mbi “hidraulikun polak” nxiti fitoren për votën “Jo” në referendumin francez mbi Kushtetutën evropiane. Dhe nënvizoi se si rreziqet e konkurrencës midis dy vendeve evropiane me standarde shpeshherë të ndryshme të jetesës.

Njëzet vjet më vonë, zgjerimi i madh nuk është absorbuar ende plotësisht, edhe nëse shkëmbimet midis 27 vendeve anëtare janë thelluar ndjeshëm. Dallimet kulturore dhe politike mbeten të theksuara midis anëtarëve “të vjetër” dhe “të rinj” – terma  që për fat të mirë nisur të mos përdoren aq dendur – siç e kanë treguar debatet mbi çështjet e migracionit gjatë 15 viteve të fundit.

Pak vende të Evropës Qendrore i janë bashkuar euros dhe bashkimit monetar, i cili konsiderohet si faza përfundimtare e integrimit evropian. Përkundrazi, disa prej tyre, duke filluar nga Hungaria e Viktor Orban, akuzohen për lëvizje jo-liberale dhe për shkelje të shtetit të së drejtës.

Por Polonia po tregon se kjo nuk është një prirje e pakthyeshme. Që nga kthimi i Donald Tusk në pushtet në dhjetorin e vitit të kaluar, pas humbjes së shumicës së mëparshme ultra-konservatore dhe eurofobike, Varshava i ka thelluar reformat e saj evropiane.

Ministri i saj i Jashtëm, atlantisti Radek Sikorski, sapo ka bërë thirrje që Evropa të bëhet një “fuqi gjeopolitike?”. Ishte një fjalim që i bëri jehonë thirrjeve të Emmanuel Macron për një “Evropë të fuqishme”. Dhe ai na jep një ide të peshës që ka të ngjarë të fitojnë vendet e Evropës Qendrore, veçanërisht që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.

Pushtimi i Rusisë e vërtetoi qëndrimin e tyre të vendosur kundër kërcënimit rus, ndërsa e dëmtoi seriozisht autoritetin e Berlinit dhe Parisit, të akuzuar për kënaqjen e kërkesave të Kremlinit të Vladimir Putinit. Është një hendek që Macron po synon ta kapërcejë.

“Edhe ne kemi humbur mundësinë për t’ju dëgjuar”- tha ai në Bratislavë gati një vit më parë, duke kundërshtuar fjalët e dikurshme të Chirac: ”Ato ditë kanë mbaruar!”. Lufta në Ukrainë, e ka ndryshuar natyrën e zgjerimit, duke theksuar dimensionin e tij gjeopolitik.

Kjo nuk është një çështje e re, pasi në vitet e pas Luftës së Ftohtë integrimi i vendeve postkomuniste eci paralelisht me zgjerimin e NATO-s. Frenimi i kërcënimit imperialist rus, është tani një objektiv i deklaruar publikisht.

Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor janë kandidatë, ashtu si edhe Gjeorgjia, e cila është e ndarë mbi aspiratat e saj evropiane, me qeverinë që po luan kartën anti-perëndimore dhe pro-ruse dhe opozitën pro-perëndimore.

“Rinisja e procesit të integrimit, po diktohet qartazi nga situata në Ukrainë, diçka që nxjerr në pah një pyetje të rëndësishme: deri në çfarë mase zgjerimi mund të sjellë siguri për shtetet fqinje, ndërkohë që forcon sigurinë e vendeve anëtare të BE-së?- pyet Piotr Buras, kreu i zyrës polake të Këshillit Evropian për Punët e Jashtme. Në Kiev, ashtu si në Varshavë, Bruksel, Berlin dhe Paris, përgjigja është tashmë e vetëkuptueshme.

Burimi: “Le Monde”