MENU
klinika

Miratohet vendimi

Manastirliu: Hapet këtë vit Universiteti i Spanjës në Gjirokastër

02.05.2024 - 11:07

Një zhvillim i rëndësishëm për sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, që sjell mundësi të reja për studentët është miratimi i projektmarrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, (UNED) i cili synon hapjen e kampusit universitar në qytetin e Gjirokastrës.

“UNED është një prej universiteteve në botë me modalitetet e studimit në distancë dhe ato të përzier. Universiteti shtetëror i Spanjës do të sjellë një seri programesh studimi në tre ciklet e studimit por edhe kurse të formimit profesional përgjatë gjithë jetës. Janë më shumë se 30 programe të studimit të ciklit bachelor, më shumë se 80 programe të ciklit master dhe 20 programe doktorature që ky Universitet ofron në të gjithë vendet e botës. Hapja e këtij Universiteti në Gjirokastër hap një tjetër perspektivë zhvillimi për arsimin e lartë në Shqipëri dhe veçanërisht në Gjirokastër, ku do të lidhen dhe programet e studimit me trashëgiminë kulturore, me turizmin dhe të gjitha aspektet e zhvillimit ekonomik.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu pas mbledhjes së qeverisë ku u mor dhe ky vendim i rëndësishëm për arsimin e lartë në Shqipëri.

Duke filluar nga viti akademik 2024-2025, UNED-i do të ofrojë programe studimi në Shqipëri në cikle dhe modalitete të ndryshme, sipas nevojave akademike të vendit. Kampusi i Gjirokastrës do të ndjekë të njëjtat standarde si të kampuseve të tjera të UNED-it, me rregullore të brendshme që rregullojnë hapjen, organizimin, gjuhën e studimit, kohëzgjatjen e programeve dhe mbylljen e tyre. Kjo marrëveshje siguron njohjen automatike të gradave shkencore dhe diplomave të UNED-it në Shqipëri.

“Është një ofertë e re akademike që jemi të bindur që do të gjejë përkrahje nga studentët shqiptarë por dhe ata të rajonit. Ky universitet do të vijë me të gjitha standardet dhe akreditimin, i cili do të bëhet nga Spanja. Do të kemi mundësi që diplomat, gradat dhe titujt të njihen automatikisht sipas kësaj marrëveshje, kështu që krijohen lehtësira për studentët shqiptarë dhe ato të rajonit dhe gjithashtu kemi dhe një ofertë të re akademike në Shqipëri.”, tha Manastirliu.

Viti akademik 2024-2025 sjell më shumë oferta akademike për Shqipërinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, rritjen e konkurrencës, dhe hapjen e rrugës për bashkëpunime të reja për të përmirësuar cilësinë e arsimit.

Pas hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë dhe marrëveshjes me Austrinë për reformimin e Universitetit Bujqësor të Kamzës, i hapet kështu rrugë edhe kampusit të ri në Gjirokastër, në qytetin e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

UNED, universiteti i dytë më i madh në Evropë për numrin e studentëve të regjistruar, ka mbi 150,000 studentë. Që nga viti 1997, ai ka bashkëpunuar me UNESCO-n për të promovuar arsimin në distancë. Ky universitet ka kampuse në 60 qytete spanjolle dhe 20 qytete të tjera globalisht, duke përfshirë Berlinin, Bernën, Brukselin, Buenos Aires, Karakasin, Limën, Londrën, Mexico City, Parisin dhe Sao Paulo.

Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë