MENU
klinika

Durrës

Mbante peng dy fëmijët, arrestohet 40-vjeçari

15.05.2024 - 10:48

40-vjeçari Aleks Marku qëllonte me armë brenda banesës dhe të shtënat kanë alarmuar banorët e zonës të cilët kanë njoftuar policinë.
Nuk kanë fund çmenduritë në Shqipëri. Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi mbante peng dy fëmijët e tij të mitur 6 dhe 11 vjeç, në banesë.

40-vjeçari Aleks Marku qëllonte me armë brenda banesës dhe të shtënat kanë alarmuar banorët e zonës të cilët kanë njoftuar policinë.

Me ndërhyrjen e RENA-s, pas disa orësh negociata, 2 fëmijët janë liruar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa babai i tyre u vu në pranga.

Mësohet se 40-vjeçari nga Lezha ka mbajtur peng dy 2 fëmijët e tij të mitur në një apartament të marrë me qira pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës.

Uniformat blu bëjnë me dije se në banesë u gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

“Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët. Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov.

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim”, thuhet në njoftimin e policisë.