Sipas mediave greke, nuk është thjesht rastësi që Rama vendosi të udhëtojë drejt Athinës pas shpalljes zyrtare të kandidaturës së Fredi Belerit për zgjedhjet europiane. Sipas tyre, ai mund të ketë dashur në këtë mënyrë provokuese t’i “përgjigjet” Demokracisë së Re për kandidmin e Belerit…
Kryeministri Edi Rama ka trazuar Athinën me vizitën e planifikuar më 12 maj. Fiks 1 vit nga arrestimi i Fredi Belerit kreu i qeverisë shqiptare do tu drejtohet shqiptarëve në Greqi dhe kjo shihet si provokim nga mediat greke.
Ka pasur zëra se kjo vizitë nuk do bëhej, por Rama ka konfirmuar se në 12 maj do u drejtohet shqiptarëve atje.
“Mirëmëngjesi dhe me një kujtesë për ata ndër ju që janë në Greqi, se në 12 maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë Krenar për Shqipërinë, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Mirëpo dje dhe sot portalet më në zë në Athinë kanë shkruar mbi këtë vizitë, duke e cilësuar atë si një provokim dhe sfidë ndaj Demokracisë së Re, e cila e kandidoi Belerin për eurodeputet.
“Parapolitka” dhe Newpost” kanë publikuar një artikull duke ju referuar një shkrimi të “Apogeumatini”. Sipas tyre, vizita (e mundshme) e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Greqi po kthehet në një thriller politik. “Pavarësisht hijes së rëndë që ka rënë mbi marrëdhëniet greko-shqiptare si pasojë e rastit të Fredis Beleris, zoti Rama planifikoi të vizitonte vendin tonë më 12 maj. Data në të cilën Kyriakos Mitsotakis do të udhëtonjë drejt Turqisë për takimin e tij me Erdogan. Më tej u bë e ditur se pallati Maksimos nuk ishte në dijeni se do të bëhej një festë parazgjedhore me praninë e pesë deri në gjashtë mijë shqiptarëve, gati një muaj para zgjedhjeve evropiane. Sipas informacioneve, zyra e Ramës nuk e ka njoftuar asnjëherë zyrtarisht Ministrinë e Jashtme për vizitën e tij në Athinë. Zakonisht pritej një njoftim diplomatik dhe ai mund të vinte privatisht në vendin tonë. Megjithatë, të gjithë e kuptojnë se në momentin e caktuar, kur marrëdhëniet tona dypalëshe janë trazuar, prania e Ramës në Athinë merr një rëndësi të rëndë politike”, thuhet në artikull.
Më tej shkruajnë mediat greke se nuk është thjesht rastësi që ai vendosi të udhëtojë drejt Athinës pas shpalljes zyrtare të kandidaturës së Fredi Belerit për zgjedhjet europiane. Sipas tyre, Edi Rama mund të ketë dashur në këtë mënyrë provokuese t’i “përgjigjet” Demokracisë së Re për kandidmin e Belerit.
“Të shtunën e kaluar kryebashkiaku i Galatsit, Giorgos Markopoulos, u informua aksidentalisht se kompania private që administron objektet e vjetra olimpike, përfshorë dhe teatrin e njohur “Teatri i Krishtlindjeve”, i kishte dhënë me qira hapësirën kryeministrit shqiptar për të realizuar tubimin. Më pas ai kërkoi nga kompania që të ngrinte çdo diskutim dhe ta informonte atë për çdo zhvillim. Të tjera informacione thonë se disa persona kanë ushtruar presion që vizita e kryeministrit shqiptar të shtyhet pas zgjedhjeve europiane për të mos lejuar ngritjen e partive të djathta, pak para zgjedhjeve të 9 qershorit. Zyrtarisht, ambasada shqiptare nuk ka njoftuar për mbërritjen e tij dhe mbetet për t’u parë se kur do të vijë më në fund Rama në Greqi dhe nëse sigurisht do të përshkallëzohet tensioni në marrëdhëniet tona dypalëshe”, theksohet më tej.
Një artikull të ngjashëm ka bërë edhe “Dnews”, e cila kritikon qeverinë greke për kandidmin e Belerit. Sipas artikullit, vizita e Ramës po bëhet pikërisht mbi këtë zgjedhje të Mitsotakis.
“Kandidatura e Belerit turbullon marrëdhëniet greko-shqiptare, me Edi Ramën duke përfituar nga situata, siç e tregon edhe fjalimi që po përgatit në mesin e majit për bashkatdhetarët e tij që jetojnë në Greqi, që pritet të krijojë tensione të reja! Mitsotakisa kërkon të shtyjë fjalimin e Ramës, por edhe nëse shtyhet tani, do të bëhet pas zgjedhjeve europiane! Kyriakos Mitsotakis ishte personalisht i vetëdijshëm për efektet që do të ketë përfshirja e Beleris në fletën europiane të PD-së nga drejtuesit e Ministrisë së Jashtme, por edhe nga qarqet europiane. Natyrisht, nuk kishte nevojë të informohej, pasi që në fillim ai vetë i dinte pasojat e zgjedhjes së tij, prandaj fillimisht e refuzoi kandidimin dhe donte të vinte në vend të tij djalin e Belerisit, Petros, i cili refuzoi dhe kërcënoi se në një rast i tillë Fredi Beleri do të jetë kandidat me një parti tjetër! Përballë mundësisë që ND të ketë disa humbje në të djathtën e saj, kryeministri zgjodhi ta vendosë Belerin në fletën europiane, duke bërë me vetëdije lojën e kryeministrit shqiptar dhe qarqeve ekstreme të dy vendeve”, thekson artikulli.
Ndërkohë dje pati një reagim nga kreu i degës së Partisë Socialiste në Athinë, Jani Haxhi, i cili konfirmoi vizitën e Ramës, teksa e sigurt është se nuk do të ketë takim me Mitsotakis.