MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Moralistë dhe fatalistë

31.05.2024 - 14:04

Sipas përkufizimit shkencor “morali është rregull, dhe normë e sjelljes e paravendosur nga një shoqëri, bashkësi, dhe e pranuar nga një njeri për mënyrën e tij të sjelljes dhe e zbatueshme nga të gjithë njerzit e arsyeshëm”. Por morali është edhe një mësim i vlefshëm, etikë praktike e shprehur apo e nënkuptuar në një histori apo ngjarje. Moral ka individi i zakonshëm, ka politikani, ministri, kryeministri, presidenti, shoqeria dhe anekset e saj. Me moral mbahet dhe funksionon ushtria, policia, strukturat e shtetit.

Rënia në fatalizëm (mungesa e arsyes dhe optimizmit) mbetet shkatërruese për çdo fenomen jetësor.Në jetën e një individi apo shoqerie, moralizmi dhe fatalizimi, janë dy anët e kundërta të një fenomeni që ndikon dukshëm në përditshmëri. Në politikë, morali është dhe duhet të jetë fondamenti i saj, sepse në logjikën e shumicës së njerëzve ekziston mendimi se “morali dhe politika” janë në kahe të kundërt. Kjo në fakt ka ndodhur dhe ndodh vetëm tek ne. Morali është marrëdhënie korrekte me tjetrin, respekt për të drejtat, nevojat e tij , dhe besim reciprok. Klasa politike në Shqipëri, ka 34 vjet që e ka “përdhosur” moralin, duke e keqpërdorur. Kjo i ka lënë shteg të hapur fatalistëve. Parashtrimi, diskutimi, pozicionimi dhe zgjidhja e problemeve, nuk mund të kuptohen pa bashkekzistencën e politikës me moralin.

Por çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh në të vërtetë me politikanët tanë ? Ata në shumicën e tyre, në kohën e qeverisjes së tyre, kanë treguar se janë veçse moralistë kur kanë pushtetin, dhe fatalistë (e shohin gjithçka të zezë tek tjetri) kur e humbasin atë. Lufta politike në Shqipëri, i ngjet një beteje në xhungël. Pa rregulla, pa reciprocitet, pa kufinj logjik të paracaktuar mes palëve, duke përshfaqur papërgjegjshmëri dhe brutalitet. Gjithçka nis nga “ZERO”, duke fshirë atë që është ndertuar, ngritur dhe investuar. Për moralistët dhe fatalistët, “shteti nis të funksionojë kur ata marrin pushtetin”, reformat funksionojnë kur ata vijnë në pushtet. Rritja e pagave, pensioneve, rritja ekonomike, investimet në arsim, shendetsi, bujqesi, kulturë e turizëm, nisin atëhere kur ata marrin pushtetin. Partia Demokratike e gjendur në ndarje dhe grupazhe, funksionon sot si një celulë e çoroditur moralistësh dhe fatalistësh.

Ata nuk bëjnë, dhe nuk prodhojnë politikë, ata nuk bëjnë dhe nuk merren fare me opozitarizëm, ata nuk gjenden dhe nuk zgjidhin sot asnjë problem të votuesve të tyre, por thjesht ata bëjnë dhe “shesin” moral, dhe kultivojnë fatalitet. Për PD-në zyrtare dhe Rithemelimin, “asgjë nuk është bërë nga 2013 deri sot, asgjë nuk është arritur nga 2013 deri sot”, madje as “ajri, uji, deti, lumi, toka, nuk kanë lëvizur fare prej 2013 deri sot”.

As Shqipëria nuk ka pësuar “ndryshime tektonike, biologjike, njerëzore dhe integruese nga 2013 deri sot”. Të mbjellësh fatalitet përmes moralit bosh, është dështim, dhe jo arritje. Kjo nuk të shpie drejt pushtetit dhe fitores në zgjedhje. Politikanët e zgjuar, e zgjedhin me kujdes rrugëtimin e tyre drejt pushtetit, gjithmonë kur moralin dhe fatalitetin, e lënë mënjanë.

Në politikë, rëndësi ka stabiliteti logjik në fushatë, premtime të zbatueshme dhe reale, dhe kuptim të gjërë të atyre që predikon, pasi do të duhet ti zbatosh në praktikë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN