MENU
klinika

Vuante nga sëmundja e rëndë

Ndërron jetë ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf

23.05.2024 - 17:40

Ndahet nga jeta ish ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf. Mësohet se një sëmundje e rëndë ka sjellë vdekjen e ish-ambasadorit gjerman në Tiranë.

Lajmi u bë i ditur nga ambasada gjermane në një postim në Facebook.

Peter Zingraf, Ambasadori gjerman në Tiranë, i cili ushtroi funksionin e tij nga viti 2019 deri në vitin 2023, ndërroi jetë më 20 maj 2024.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen e kolegut tonë të vyer Peter Zingraf.

Peter Zingraf, Ambasadori gjerman në Tiranë nga viti 2019 deri në vitin 2023, ka ndërruar jetë më 20 maj 2024 pas një sëmundjeje të shkurtër por të rëndë.

Humbja e tij e papritur na ka tronditur të gjithëve. Peter Zingraf do të mbahet mend si një person miqësor, me humor dhe gjithmonë i afrueshëm dhe si një koleg dhe mik i madh”, njofton Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.

Kush ishte Peter Zingraf?

Ish-ambasadori gjerman në Tiranë ka studiuar romanistikë (histori letërsie frënge dhe italiane) në Aachen, Poitiers-Francë dhe Firence-Itali. Ai ka punuar si bashkëpunëtor shkencor në universitetet e Aachen dhe Freiburg im Breisgau. Peter Zingraf është i martuar dhe ka dy vajza.

Sa i përket karrierës së tij diplomatike, nisi në vitin 1993 kur u bë pjesë e Shërbimit të Jashtëm.

–1994 Nëpunës i deleguar pranë Ministrisë së Jashtme Italiane, Romë

–1995 Ministria e Jashtme Federale, Bonn, Departamenti Politik

–1996 Ambasada e Varshavës, Poloni

–1999 Ministria e Jashtme Federale, Berlin, Departamenti i Kulturës

–2002 Ambasada e Daressalam-it, Tanzani

–2005 Ministria e Jashtme Federale, Departamenti Qendror

–2010 Ambasada e Dublinit, Irlandë

–2013 Zyra e Presidentit Federal, Departamenti i Politikës së Jashtme

– 2016 Ministria e Jashtme Federale, Departamenti Qendror

–Gusht 2019 Ambasada Gjermane në Tiranë, Shqipëri.