Fatmir Troplini është një nga personat e shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, pasi dyshohet si i përfshirë në atentatin e dështuar ndaj Preng Gjinit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.
I kërkuar nga SPAK, Fatmir Troplini, i njohur edhe si “Miri i Pojës” dyshohet se ka planifikuar atentatin ndaj 55-vjeçarit, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Atentati me minë të telekomanduar ndaj Preng Gjinit ndodhi në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020.
400 gram C4 ishte vendosur në pjesën e poshtme të makinës që drejtonte Preng Gjini, nga Rrësheni dhe shpërtheu në momentin kur ai po udhëtonte mbi urën e lumit Lana, që ndodhet te zona e njohur si ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale dhe mjaft delikate, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar nga shpërthimi.