MENU
klinika

Drafti në diskutim

“Paketa e Maleve”, 4 shtyllat e mbështetjes

03.05.2024 - 17:07

Teksa qeveria po punon për paketën e re të mbështetjes për investime në zonat e veriut, TV SCAN ka zbardhur katër shtyllat kryesore, që janë në diskutim për t’u përfshirë në atë që do të quhet “Paketa e Maleve”.

Sipas burimeve nga grupi i punës, shtylla e parë përfshin mbështetjen me para’ apo thënë ndryshe dhënien e bonuesve direkte për përfituesit.

Po ashtu, parashikohet që dy grupet e avantazhuar për të përfituar do të jenë të rinjtë dhe gratë, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar sesa do të jetë masa financiare që do të mund të përfitohet. Shtylla e dytë parashikon masa lehtësuese për akses në financë apo thënë ndryshe kushte të lehtësuara për marrjen e kredive, në funksion të investimeve në turizëm malor.

Shtylla e tretë e draftpaketës së mbështetjes për investime në zonat e veriut të vendit parashikon kurse trajnimi falas për menaxhimin e bizneseve, duke i pajisur investitorët e rinj me njohuritë e nevojshme në këtë drejtim.

Ndërkohë që, shtylla e katërt që është në diskutim përfshin lehtësimin e procedurave për marrjen e tokave me qira apo privatizimin e tyre.

Gjithsesi, javën e ardhshme parashikohet të nisin taktimet direkte nga grupi i punës, që do të finalizojnë përmbajtjen e paketës së mbështetjes, teksa prezantimi i saj parashikohet të bëhet në datën 30 qershor.

Aplikimi i kësaj pakate synon rigjallërimin e investimeve në veri të vendit, në funksion të zhvillimit të turizmit, si dhe kthimin e emigrantëve për të investuar në vendin e tyre.