MENU
klinika

Dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia ushtron kontrolle në disa rrethe për kapjen e 3 autorëve

31.05.2024 - 17:41

Avokati Sokol Mëngjesi i cili ra pre e një sulmi paraditen e së mërkurë në ambjentet e një kopshti privat në Tiranë, vijon të jetë në gjendje kritike për jetën.

Prej ditës së sulmit ai është futur në intubim dhe gjendja e tij raportohet e rënduar. Sakaq tre nga autorët e sulmit, konkretisht Drivald Alia, 21-vjeç; Elton Kasaj, 33-vjeç dhe Romario Tabaku, 26-vjeç vijojnë të jenë në kërkim dhe ende nuk dihet destinacioni që kanë ndjekur pas ngjarjes.

Mësohet se përpos kontrollit të ngritur në pikat kufitare Policia ka ushtruar kontrolle edhe në disa qytete të vendit, jashtë Tiranës, por ende nuk ka arritur në gjurmët e tyre.

Deri më tani lidhur me ngjarjen është vetëdorëzuar një nga autorët e sulmit Dorian Alia, i cili në dëshminë e tij paraprake të dhënë para hetuesve ka thënë se sulmi ishte i porositur nga Dritan Nano, dhe se kishin shkuar ti jepnin vetëm një mesazh pa menduar se gjendja do të bëhej kritike.

Ndërkohë vetë Nano tashmë i arrestuar nga Policia ka mohuar akuzat duke thënë se nuk ishte ai organizatori dhe se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Nga hetimet e deritanishme thuhet se sulmi ka ndodhur për shkak të detyrës, për një çështje pronësie që avokati ka përfaqësuar më herët.