Dan Hutra, një nga personazhet e krimit që një vit më parë tronditi vendin, duke vrarë tre gra të pafajshme dhe plagosur 3 të tjera, është transportuar nga ambjentet e burgut të Peqinit, ku mbahet i izoluar në drejtim të prokurorisë së posaçme SPAK.
Shkak i vizitës së Hutrës në SPAK, janë bërë dy letra që i arrestuari për vrasjen e grave, i kishte dërguar prokurorëve specialë, duke treguar vullnetin se ishte i gatshëm të fliste për një seri ngjarjesh kriminale për të cilat siç pretendonte ai kishte informacion të hollësishëm.
Nisur nga kjo situatë e pasqyruar përmes letrave të dërguara nga burgu, SPAK ka vlerësuar marjen në pyetje të arrestuarit, me shpresën e tregimit të autorëve që kishin marë pjesë në ngjarjet e rënda kriminale që janë ende të pazbardhura.
Me kërkesë të prokurorëve të SPAK, pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka mundësuar transportimin e Dan Hutrës nga ambjentet e burgut në prokurorinë e posaçme.
Burime pranë SPAK kanë konfirmuar lajmin se Dan Hutra është marë në pyetje në këto ambjente, për shkak të vlerësimit të asaj situate që kishte paraqitur në letrat e dërguara.
Duke ju referuar të njëjtave burimeve nga SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve, mësohet se pyetja e Hutrës ka zgjatur disa minuta dhe më pas është lënë i lirë të kthehet sërisht në burg.
Në vlerësimin e grupit të hetimit, Hutra, nuk tha asgjë me vlerë që mund të konsiderohet e vlefshme për çeljen e hetimeve për dosje konkrete, por gjithsesi çështja në këtë rast është në trajtim e sipër.
Por prokuroria e posaçme mësohet të ketë lënë dhe një seancë të dytë të marjes në pyetje të Dan Hutrës.
Ky nuk është rasti i parë që prokurorë të SPAK, vizitohen në zyrat e tyre nga të burgosur, të cilët shprehin fullnetin për të dhënë sqarime rreth ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në Shqipëri.
Një gjë e tillë ka ndodhur me Admir Tafilaj, Erjon Alibej, Luftar Reçi dhe persona të tjerë që tregojnë para prokurorëve të SPAK ato krimi që pretendojnë se dinë autorët e vrasjeve dhe bisedat informative që kanë zhvilluar me të dënuar të tjerë në burgje.
Së fundmi ishte Dan Hutra që vizitoi SPAK dhe dha shpjegimet e tij.
Aktualisht në burg, Dan Hutra ndodhet për akuzën e vrasjes së tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave në Tiranë.
Në 1 Mars 2023, Dan Hutra ekzekutoi me automatik motrë e ish-bashkëjetueses së tij, Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të bashkëjetueses, Elena Hysës, Hasime Dafku, gjithashtu 30-vjeçe.
Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.
Masakra ka vijuar edhe më tej. Ky vrasës i rrezikshëm i arratisur me makinën “Benz të zi” dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti./ OraNews