Qeveria gjermane vendosi të zgjasë me një vit tjetër pjesëmarrjen e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të KFOR-it.
Deri në 400 ushtarë gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit u shpreh se: Prej tashmë 25 vjetësh, Bundeswehr-i po kontribuon në mënyrë aktive në stabilizimin dhe sigurimin e paqes në Kosovë.
Ai theksoi se kontributi i KFOR-it është i nevojshëm për stabilizimin e sigurisë dhe konsiderohet si një shtyllë kryesore e stabilitetit në rajon. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Müller, pohoi se mandati mbetet i pandryshuar. “Ne veprojmë sipas mandatit ekzistues. Kompania gjermane në NATO është në gatishmëri dhe ka marrë kompetenca shtesë, si kontrolli i turmave dhe trazirave.”
Bundestagu do ta diskutojë këtë vendim të qeverisë në 6 qershor 2024 përmes një debat 40-minutësh, në vazhdën e të cilit kërkesa kalon për shqyrtim të mëtejshëm në komisionet përkatëse, me në krye atë të Jashtëm. Pritet që vendimi, sikurse edhe vitet e mëparshme, të miratohet me shumicë dërrmuese të votave nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë, SPD, FDP dhe Të gjelbrit, dhe nga grupi më i madh opozitar, CDU/CSU.
Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Vendimi për zgjatjen e mandatit të trupave gjermane vjen në një kohë kur situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përkeqësuar që nga viti 2022, me përleshje të dhunshme në Zveçan dhe një sulm paramilitar në Banjskë, e vazhdon të konsiderohet e brishtë, teksa tensionet politike kanë vazhduar edhe këtë vit përfshirë zgjedhjet e mundshme në komunat veriore dhe rregullimet financiare mes Kosovës e Serbisë.