Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri, ku Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika.
Rama thotë se ky raport do të analizhet me kujdes.
‘Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence.’, shkruan Rama.
Ditën e sotme organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar raportin vjetor, në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në botë, ku ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika.
Në indeks vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias, po përshpejton rënien e lirisë së saj.
Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit, duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.
Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.
Organizata “Reporterët Pa Kufij”, vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri është i vështirë. Ajo ka humbur tri vende, krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.