Adriatik Lapaj, Koordinator i lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” në studion e emisionit “Open” në News24 u shpreh se rezoluta e PS kundër korrupsionit është një akt deklarativ që vjen 11 vjet pas qeverisjes së Edi Ramës.
Sipas tij, korrupsioni nuk luftohet me deklarata, por me veprime konkrete, ndërsa theksoi se rreziku më i madh është nëse bëhet një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës.
“Në kuptimin juridik nuk ka vlerë, në kuptimin juridik kanë vlerë vetëm ligjet. Ligjet e thjeshta mazhoranca i miraton vetë, për ligjet e cilësuara duhen minimalisht 84 vota, pra duhet një konsensus i gjerë.
Nëse do të bëjë ndryshime në ligje të thjeshta, atëherë do të kemi ndryshime të thjeshta, që nuk kanë peshë. Nëse do të bëjnë ndryshime në ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, atëherë i duhet një konsensus, pasi nuk i kanë votat.
Rreziku është vetëm nëse ka një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, ose nëse Kryeministri hyn dhe ble deputetë nga radhët e atyre që ka përballë, që janë me 7 seli e grupe”, tha Lapaj.
Sipas tij, “korrupsioni nuk luftohet me deklarata, por me veprime konkrete duke mos dhënë koncensione korruptive, duke mos bërë pagesat për inceneratorët nuk incenerator skemi, duke mos mbajtur afër njerëz të korruptuar”.