Seanca parapake gjyqësore për sterilizimin është shtyrë për në datën 3 qershor. Avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj i kanë kërkuar trupës gjykuese kohë që të njihen me dosjen e SPAK për koncesionin e sterilizimit.
Ish-ministri Beqaj në një prononcim për gazetarët tha se nuk u është vendosur në dispozicion e gjithë dosja.
“Ende nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja. S’jemi njohur akoma me dosjen. Në volumet e dosjes, ka brenda edhe CD, DVD, USB, të cilat nuk mund të skanohen, kemi kërkuar të na japin një kopje, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkese. Përderisa janë pjesë e akuzës, duhet të njihemi me përmbajtjen e tyre. Që të bëjmë mbrojtjen duhet të njihemi”, tha Beqaj për gazetarët pasi doli nga Gjykata e Posaçme.
Më 18 mars 2024, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për sterilizimin, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë, mes tyre zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Hetimet 3-vjeçare kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.