MENU
klinika

Rusia donte pikat e dobëta në Shqipëri

Si FSB rekrutoi mbështetësin e Navalnit që u kap në Gramsh

01.05.2024 - 14:39

Në pak ditë udhëtim dy rusët dhe një ukrainas të kapur në Gramsh, fotografuan tunelet e ushtrisë. Misioni u shtri në Gjadër, Tiranë, Durrës, Berat, Elbasan e Fier.Në pamjet e kapura në dron shfaqen edhe ujëmbledhësit në Bovillë e Moglicë, por edhe antenat satelitore dhe ato televizive. Sipas dosjes hetimore për realizimin e porosisë FSB ruse kishte rekrutuar një mbështetës të opozitarit Aleksei Navalni në protestat e vitit 2021

Prokuroria e Elbasanit ka dërguar në gjykim me akuzën e sigurimit të informacionit të kryer në bashkëpunim për dy shtetasit rusë dhe një ukrainas të kapur në Uzinës Mekanike Ushtarake të Gramshit në 20 gusht të vitit 2022.

Në dosje thuhet se Mikhail Zorin, ndaj të cilit rëndon edhe akuza e goditjes për shkak të detyrës, është rekrutuar nga FSB ruse pasi ai u arrestua në protestat e vitit 2021 në mbështetje të opozitarit Aleksei Navalni tashmë të ndarë nga jeta. Fillimisht ai është liruar e më tej është kontaktuar nga FSB ku i është kërkuar bashkëpunim në të kundërt do të kishte pasoja.

Shkak ishte bërë pasioni i tij për të fotografuar objekte të braktisura.

Pas zhvendosjes me studime në çeki përmes telegram iu ngarkua detyra e parë, të cilën shprehet se e ka refuzuar. Por në një tjetër moment e kanë kërcënuar me familjen në rusi dhe ndaj zgjodhi si mision Shqipërinë.

Sa për dy të ndaluarit e tjerë bëhet e ditur se janë njohur në rrjetet sociale ku edhe i ligh i njëjti pasion

Ndërkaq pas hapjes së dy dronëve, aparateve fotografike dhe celularëve janë zbuluar mijëra foto të reparteve ushtarake, bunkerëve apo dhe objekteve të tjera strategjike.

Në Gjadër të Lezhës janë bërë përmes dronit 22 fotografi të tuneleve dhe të pistës së avionëve, 24 herë është fotografuar diga e Bovillës në Tiranë, por edhe zonës përreth ujëmbledhësit.

Më tej vijohet në Durrës në vilën e zogut dhe institucioneve të tjera përfshirë policinë.Ndërsa në Kepin e Rodonit janë marrë 22 pamje ku janë edhe antenat satelitore dhe tunele që ndodhen atje.

Droni ka marrë pamje edhe në Repartet ushtarake të Zall-Herrit dhe Tufinës, e më tej edhe në tunelet e Dajtit, ku nuk kanë shpëtuar as antenat televizive

Grupi ka ndalur edhe në repartin e RENEA-s që përmbyll setin e fotografive në kryeqytet.

Në Elbasan, pas fabrikës së hekurit, fotografimi ka vijuar në magazinat Ushtarake të tuneleve të Murrashit, si dhe ura, hekurudha etj.

Hidrocentrali i Moglicës dhe portat e shkarkimit janë regjistruar po ashtu me dron. Ndërsa në Marinzë të Fierit përqendrimi ka qenë te depozitat e karburanteve, tubacionet dhe puset e naftës.

Në Berat janë bërë pak foto nga ura e vjetër, ndërsa në Poliçan e Çorovodë janë regjistruar tunelet.

Po ashtu nuk kanë munguar as pamjet e tubave të ajrimit dhe pajisjeve mekanike në repartet ushtarake dhe në tunelet.

Ndërkohë prokuroria ka zbuluar edhe pjesë të shprehjeve të ngurosura në mure e tavolinave të përdorura gjatë regjimit komunist në Shqipëri.