Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka reaguar pas incidentin në Maqedoninë e Veriut, ku ambasadorja greke u larguar nga salla ku po mbahej ceremonia e betimit si presidente e Gordana Silianovska, pasi kjo e fundit e ka quajtur vendin e saj “Maqedoni”.
Në një reagim në ‘X’, Von der Leyen shprehet se Maqedonia e Veriut për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në BE, duhet të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës.
“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, shkruan Von der Leyen.
Kujtojmë se gjatë ceremonisë së betimit të saj, Silianovska e quajti vendin “Maqedonia”.
Fill pas kësaj deklarate, ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filippidou, e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Silianovska, u largua nga salla në shenjë proteste për faktin se kjo e fundit i referohej vendit si “Maqedoni” gjatë betimit të saj, në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.