MENU
klinika

Për çfarë akuzohet?

SPAK mësyn në bashkitë e socialistëve, nën hetim edhe Luiza Mandi e Libohovës

04.05.2024 - 14:35

Një tjetër ish-kryebashkiake socialiste është marrë e pandehur nga Gjykata e Posaçme.

Bëhet fjalë për të parën e Libohovës, Luiza Mandi, për të cilën Prokuroria e Posaçme i ka ngarkuar veprën penale “shpërdorim detyre”.

“Ora News” mëson se bëhet fjalë për një kallëzim të bërë nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillon një projekt zgjerimi rruge.

Duke u njohur me këtë fakt, qytetari ka kontaktuar vetë me kryetaren e Bashkisë dhe përgjegjësin e Urbanistikës, ku e kanë sqaruar se pas përfundimit të projektit do të merreshin me riparimin e dëmeve të shkaktuara në tokat e tij, si dhe duke pastruar dherat dhe inertet që ishin hedhur.

Por gjatë përfundimit të punimeve prej kompanisë “Alba Konstruksion”, denoncuesi ka konstatuar se muri rrethues nuk ishte ndërtuar në cilësinë e duhur, por ishte shtrirë edhe në sipërfaqe të tjera të tokave në pronësi të tij.

Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme ka nisur punën në terren ku ka sekuestruar projektin në fjalë dhe është konstatuar se ishte cënuar prona e familjes nga Libohova.

Sipas shkresave, gjatë zhvillimit të projektit në fjalë nuk është zbatuar procedura e shpronësimit, çka ka sjellë dhe dëmin ekonomik të kallëzuesit, në një vlerë prej 362,480 lek.

Sipas burimeve, Luiza Mandi rezulton të jetë jashtë Republikës së Shqipërisë, e ndërsa hetimi ndaj saj është kryer në mungesë në gjendje të lirë.