Agjencia qeveritare amerikane që monitoron aktivitetin diellor, paralajmëroi këtë të shtunë, se cdo komunikim radio, GPS dhe satelitor, do të preket nga një efekt I jashtëzakonshëm, ekstrem, që lidhet me diellin.
Sipas Administratës kombëtare oqeanike dhe atmosferike, dielli ka nisur nga kjo fundjavë, një fenomen ekstrem, që për herë të fundit është regjistruar në tetor 2003, kur instalimet elektrike në Suedi dhe Afrikë të Jugut, u dëmtuan rëndë, pikërisht nga aktiviteti i pazakontë solar.
Bëhet fjalë, sipas agjencisë oqeanike dhe atmosferike, për stuhi gjeo-magnetike, që prej të premtes mbrëma, po zhvendosen nga shteti në shtet, madje edhe nga kontinenti në kontinent, në një tranzit absolutisht ekstrem qark botës.
Sipas ekspertëve, shkak ishte një grumbull i madh njollash diellore, vërtet komplekse, në diametër 17 herë më të madh se toka.
Miliona vetë patën kështu mundësinë të shijojnë, atë që njihet tashmë si fenomeni i Dritave të Veriut apo edhe si aurora borealis, që do të vazhdojë gjithë fundjavën. Veç Amerikës, edhe një pjesë e kontinentit europian, shijuan ngjyrat mbi qiell, ku spikasin lejlaja, jeshilja, në një spektakël vërtet të rrallë.