Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti thotë se nuk ka asnjë element për të qenë krenar për Shqipërinë, ashtu siç kohet e fundit po thotë edhe kryeministri Rama.
Nga takimi me demokratët në Durrës, Alizoti thotë se ajo që është më e rrezikshme për Shqipërinë është folklori kombëtar me daulle dhe dajre.
Teksa iu referua vizitës së Ramës në Athinë dhe takimit të tij me emigrantët, Alizoti u shpreh se sot “shqiptarët kanë lënë pleqtë e tyre këtu për të larë pleqtë e Evropës”.
“Kemi dëgjuar shprehjen që jemi krenarë që jemi shqiptarë, këtë po e thotë edhe kryeministri që del me flamur, daulle, me këngëtarë, mban ahengje, dikur i thoshin edhe çengie dhe feston në rrugët e botës. Po për çfarë duhet të festojnë shqiptarët dhe të jenë krenarë shqiptarët? Të jenë krenarë që po ikin të lajnë botën?! Si mund të jesh krenar si komb kur nuk mban dot në shtëpi fëmijën tënd, si mund të jesh krenar kur ti nuk ushqen dot dhe nuk mundëson dot rininë tendë?! Ku qëndron krenaria? Krenari të kthyer në folklor?! Për mua më e dëmshme për Shqipërinë është folklori kombëtar. Cdo të thotë? Të jesh patriot dhe kombëtar duhet ta kishe Shqipërinë më të zhvilluar, me ekonomi të lartë dhe jo ta kishe pastrues në Evropë, jo të dërgojë mjekët dhe infermierët rrugëve të botës që të hanë një çapë bukë! Kjo është Shqipëria sot. Edhe në komunizëm një tipar kishte që Shqipëria lulëzonte, por lulëzonte vetëm blloku, por gjysma e Shqipërisë ishte pa bukë, një pjesë ishte në kampet e përqendrimit. Të nderuar qytetarë, sot elementi më i rrezikshëm është ky folklori kombëtar, këndoni, tundni flamurët dhe në fund ikni nga Shqipëria dhe lani Evropën, lani pleqtë e Evropës, lani pleqtë tuaj dhe lani pleqtë e tyre, rrini pa bukë në Shqipëri dhe hani një çapë bukë jashtë. Kjo është Shqipëria sot. Nuk ka asnjë element për të qenë krenar”, u shpreh deputeti demokrat.
Një këshillë miqësore ai tha se kishte për të gjitha shqiptarët që jetojnë jashtë vendit: “Mos u gënjeni nga ngjyrat. Shqipëria sot ka shifra të bazuara nga zyrat e të huajve që krahasohen me Sirianet, me popujt që janë në luftë. E rrezikshmja e këtij kombi është folklori, daullja dhe dajrja”.