Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle paraditen e sotme në dy kantiere ndërtimi në Shëngjin, pas ngjarjeve të rënda të ndodhura së fundmi, ku dy punëtorë humbën jetën gjatë orarit të punës.
Policia ka kërkuar bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin vendor, për t’i dhënë fund paligjshmërisë, nisur nga fakti se ndërtimet në pallat, po kryheshin pa leje dhe se nuk ishin marrë masat për sigurimin e rregullave të mbrojtjes në punë.
Lidhur me rastet, njoftohet se punimet janë pezulluar në të dyja kantieret.
Kujtojmë se dy punëtorët që gjetën vdekjen në vendin e punës janë Preng Gjoni, rreth 50 vjeç, dhe 28-vjeçari Emiljano Frroku.
Sa i përket aksidentit në punë të së shtunës ku humbi jetën 50-vjeçari Preng Gjoni ai u dërgua pa shenja jete në spital nga punëtorë të tjerë, të cilët u larguan nga Urgjenca prej frikës. Policia i ka identifikuar dhe po vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.