MENU
klinika

“Qyteti perfekt nuk ekziston”

Veliaj: Tirana në ditët më të mira, nuk kam asnjë pishman

06.05.2024 - 20:34

Për kryebashkiakun Erion Veliaj, Tirana sot po jeton ditët e saj më të mira.

Në një intervistë me gazetarin Sokol Balla për ‘Real Story’, nga Piramida, të cilën kryebashkiaku e konsideron një mini Mekë të Tiranës, Veliaj tha se qyteti perfekt nuk ekziston, por nëse e krahason me periudhën kur e mori dhe si ajo është sot, ndryshimi sipas tij është nata me ditën.

Për gazetarin Balla, Veliaj tha se nuk ka asnjë pishman për betejat e kryera për qytetin dhe nëse do rikthehej pas, do bënte të njëjtën gjë.

Pjesë nga intervista:

Në majë të Piramidës kisha 30 vjet pa ardhur, po më solli këtu Erion Veliaj, mirëmbrëma, mirësevini në Real Story. Jam këtu me kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Veliaj: Mirëseerdhe, shpresoj ka qenë pak më komode me shkallët dhe ashensorin, se sa në atë kohë kur grisnim xhinset.

Hera e fundit që kam ardhur në fakt, kam për të marrë vëllain tim kur theu këmbën që rrëshqiste këtu poshtë.

Veliaj: Nuk mund të them se është pa rrezik, sepse janë 100 e ca shkallë, por prapë është kthyer vendi më i instagramuar, një lloj mini Meke e Tiranës, sepse nuk vjen vizitor në Tiranë pa e prekur atë kutinë e Piramidës si një vend që ka shumë histori dhe si një vend që është transformuar, jo vetëm nga jashtë dhe për nga arkitektura por edhe nga brenda ajo që quhet përmbajtja, ku Bashkia paguan sot që çdo fëmijë i Tiranës, rreth 1600 fëmijë në muaj ta kenë bursën falas për të mësuar punët e të ardhmes, që janë punët teknologjike.

Duket sikur Tirana po përjeton momentin e vet më të mirë si qytet, pasi janë lidhur ato hallkat, gjërat që deri dje dukeshin veç e veç tani duket se janë lidhur me njëra tjetrën…

Veliaj: Nuk ekziston qyteti perfekt. Ne New York ka një sfidë shumë të madhe tani me minjtë. Në Paris, ku sapo erdhëm ka pasur një problematikë me të gjithë ato që quheshin buburrecat, lloj pandemish insektesh. Çdo qytet ka ato sfidat e veta. Athina ka pasur një problem shumë të madh me ujin. Megjithatë, kur mendon ku e morëm.. kur mendon që qyteti ishte në letargji, që kishte ngelur sahati që shumë prej infrastrukturës publike ishte bërë një dëm i paimagjinueshëm, kur mendon që shkolla Kosova nuk ekziston dhe kur mendon që 40 shkolla të tjera që kanë transformuar atë që quhet fillimi i mbarës i qytetarisë në Tiranë, kur mendon 101 kopshtet dhe çerdhet them që jemi në ditët tona më të mira. Numri i turistëve ka qenë diçka e paparashikuar. Kryeministri ka punuar shumë, ka qenë një agjent i jashtëzakonshëm marketingu, secili prej nesh ka bërë të vetën po kjo është edhe përtej imagjinatës dhe dëshirës sonë, dhe ëndrrës tonë më të bukur. Kështu që të tilla halle paçim, por vërtetë mund të them që në 104 vite të Tiranës kryeqytet, po jetojmë ditët më të mira, ku prona vlen më shumë, qyteti ka një reputacion. Qyteti sot ulet me Parisin, ulet me Londrën, ulet me Stambollin dhe Athinën, sot nuk jemi më inferior që kërkojmë plepa dhe stola. Sot jemi një qytet që ka dëshmuar dinjitet dhe një qytet që është transformuar për kohën e shkurtër që ka pasur, më shumë se çdo qytet tjetër. Fjala vjen nëse në shumë qytete kthehesh pas 10-15 vitesh gjen ekzatësisht të njëjtin qytet dhe normal ka një trashëgimi kulturore shumë vjeçare siç mund të jenë qytetet nga të cilat ne rrethohemi Perandoria Osmane  ka pasur Stambollin, demokracia e lashtë ka pasur Athinën, Perandoria romake Romën, e kështu me radhë, Austro Hungaria Vjenën. Kur mendoj që në një presion kohor të më pak se një dekade kemi sjellë këtë transformim, jam krenar për qytetarët e Tiranës dhe sigurisht për të gjithë skuadrën që ka bërë beteja se çdo punë ka qenë pjesë e një beteje pastaj kemi parë rezultate.

Do flasim për këto betejat, në fakt ju e thatë vetë, që edhe Tirana është në ditën e saj më të mirë, por kjo nuk është dita juaj më perfekte vetë si jo thjesht si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por ju jeni drejtuesit më i rëndësishëm politik pas kryeministrit, pasi drejtoni qarkun me shumë bashki dhe me shumë deputetë

Veliaj: Unë nuk mbaj mend ta kem pasur një ditë perfekte në këtë punë dhe këtë nuk e them për t’u ankuar. Thjesht, nuk mbaj mend të kem bërë një fundjavë pushim sepse të shtunë të diel kam qenë në punë. Mundohem të jem i  pari që hap bashkinë e sigurt që jam i fundit pasi janë mbyllur le të themi të gjithë punët e qytetit. Sigurisht më mungon familja, më mungon djali dhe sigurisht që ndonjëherë më vjen keq që cdo gjë është bërë me kaq shumë betejë. Mbaj mend, ditën e parë në bashki kur kemi pasur betejën për këndin e lodrave. Me pistoleta, me dhunë të njëjtët njerëz. Praktikisht është i njëjti grup mobil që më ka shoqëruar këto 9 vite të rrugëtimit. Nuk mbaj mend të kemi bërë një punë të mirë pa betejë. Betejë te Pazari i Ri, betejë te Sheshi Skënderbej, betejë te Bulevardi, betejë të Astiri, betejë te Kalaja, betejë te Liqeni, betejë te Sami Frashëri, betejë për Kosovën. Me sa duket disa punë në këtë vend, ose punët e mira në këtë vend duhet të kalojnë edhe le të themi ferrin e betejave. Nuk kam asnjë pishman, të isha përsëri para 9 vitesh do bëja përsëri të njëjtat beteja, sepse betejat nuk bëhen vetëm për ata që sheh dhe që bërtasin.

Betejat bëhen edhe për një shumicë të heshtur, bëhen edhe për disa fëmijë që nuk kanë lindur akoma për çerdhet dhe për kopshtet që ndoshta ata do t’i gëzojnë pas disa vitesh. Dhe kur mbillet një pemë, kur shikoj këtu që ky ka qenë një park djerrë, apo siç është parku pas Muzeut Kombëtar, parku Europa para Bashkisë, pemët e reja te parku Rinia, kur shikoj që për çdo pemë duhet bërë një përpjekje sot për të bërë një hije mot. Jo çdo gjë që mbjellim e korrim menjëherë, kështu që ndonjëherë duhet me pas vizionin që i bën disa gjëra jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. Dhe unë besoj që gjeneratës së ardhshme, do t’i lemë një Tiranë ku prona vlen më shumë, ku pastërtia është primare dhe ku çerdhet, kopshtet dhe shkollat, janë të standardit europian. /abcnews.al